E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakerat sulmojnë frigoriferët e supermarketeve kryesore në Francë. Prishen me tonelata ushqime, dëmet shkojnë në miliona euro

Qindra supermarkete në Francë janë goditur nga një sulm kibernetik që ka shkaktuar dëme të mëdha, pasi hakerat morën kontrollin e sistemeve që rregullojnë temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve, duke prishur sasi të mëdha ushqimesh të freskëta dhe të ngrira.

Sipas raportimeve, rreth 400 dyqane nga zinxhirë të mëdhenj tregtarë, përfshirë Intermarché, Netto, Carrefour dhe Monoprix, janë prekur nga sulmi. Në disa raste, temperaturat e frigoriferëve janë rritur deri në 50 gradë Celsius për disa orë gjatë natës.

Sulmi shënjestroi një sistem të menaxhimit në distancë të pajisjeve frigoriferike, të ofruar nga kompania daneze Danfoss. Kjo e fundit bëri të ditur se pajisjet e prekura ishin modele të vjetra, të cilave nuk mund t’u përditësohej softueri i sigurisë.

Supermarketet e prekura kanë hequr nga shitja dhe kanë asgjësuar produktet ushqimore që u dëmtuan. Dëmet financiare mund të arrijnë në miliona euro.

Prokurorët në Paris kanë nisur një hetim për krimet kibernetike, duke e cilësuar incidentin si një sulm në shkallë të gjerë ndaj disa prej zinxhirëve kryesorë të shitjes së ushqimeve në vend.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve teknologjike që mbështesin zinxhirin ushqimor dhe për rrezikun që sulmet kibernetike mund të paraqesin për sigurinë ushqimore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›