E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadushi pret ambasadoren holandeze, në fokus reformat në drejtësi dhe bashkëpunimi institucional

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi priti në një takim ambasadoren e re të Holandës në Shqipëri, Marleen Monster.

Në fokus të takimit ishte ecuria e reformave në drejtësi, progresi i arritur nga Gjykata e Lartë dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.

Ambasadorja Monster vlerësoi progresin e shënuar nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj këtij procesi. Ajo vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me Gjykatën e Lartë të Holandës, si dhe aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara, të cilat kanë kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shpreh se, pavarësisht sfidave që vijojnë të shoqërojnë sistemin e drejtësisë, rezultatet e arritura tregojnë se Gjykata e Lartë po ecën përpara në mënyrë graduale, me hapa të sigurt dhe me përmirësime të qëndrueshme.

Ai nënvizoi se, gjatë gjashtë viteve të fundit, Gjykata e Lartë ka kaluar nëpër procese të rëndësishme transformimi dhe konsolidimi institucional. Në këtë drejtim, Sadushi vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes së performancës së arritur, veçanërisht në drejtim të uljes së stokut të çështjeve të prapambetura (backlog), një prej rezultateve më domethënëse të punës së Gjykatës së Lartë, i cili ka marrë vlerësime edhe në nivelin e institucioneve politikëbërëse. Ai theksoi se vijimi i këtij progresi mbetet thelbësor për konsolidimin e arritjeve të performances së gjykatës dhe për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin mes institucioneve të drejtësisë të të dyja vendeve, në funksion të konsolidimit të rezultateve të arritura dhe avancimit të mëtejshëm të reformave në drejtësi.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›