Hakerët sulmojnë faqën e Stratforit

Hakerët kanë postuar në internet një listë që ata thonë se përmban listën konfidenciale të klientëve të Stratforit, si dhe detajet e kartave të kreditit, fjalëkalimet dhe adresat e shtëpive të rreth 4 mijë klientëve.
Ata gjithashtu thanë se kishin edhe të dhënat e më shumë se 90 mijë llogarive bankare.
Në mesin e organizatave të listuara si klientë të Stratforit ishin: Banka e Amerikës, Departamenti i Mbrojtjes, Mjekët pa Kufi, Llokhid Martin, Laboratori Kombëtar Los Alamos dhe Kombet e Bashkuara.
Grupi gjithashtu ka postuar pesë fatura online, që thuhet se ishin donacione të krijuara përmes detajeve të kartave të kreditit.
Një faturë tregonte një donacion prej 180 dollarëve nga një punonjës i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, Edmond H. Tupaj, për Kryqin e Kuq Amerikan.
Një tjetër faturë tregonte një donacion prej 200 dollarëve për Kryqin e Kuq nga Allen Barr, një punonjës në pension nga Departamenti Bankar i Teksasit.
Asnjëri nga këta të dy nuk i është përgjigjur kërkesave për komente.