Hakersat e gjithë botës bashkohen kundër një regjimi
Video e tyre nuk është për ata që kanë nerva të dobëta. Ne jemi Anonymous, thuhet që në fillim. Duket si një edicion lajmesh ku shfaqen pamje të tmerrshme nga ajo çka ndodh në Meksikë. Me qindra e mijëra viktima nga lufta mes karteleve.
Video e bën qeverinë fajtore për vuajtjet e njerëzve dhe korrupsionin galopant në vend dhe premton kundërpërgjigje. Populli meksikan ka mbetur vetëm. Askush nuk është në krahun e tyre, thuhet në video. Për këtë arsye, i gjithë komuniteti i hakersave në botë është thirrur në ndihmë për të sulmuar gjithçka elektronike të zyrtarëve në Meksikë, faqet e internetit, adresat e postës, serverat. Suksesi thonë se ka ardhur që tani. Mijëra e-maile zyrtarësh janë në duart e hakersave. Qindra prova për korrupsion, të cilat shumë shpejt do publikohen online.
Dhe një sukses hakersat e kanë arritur. Kur një kartel droge mori peng një anëtarin e tyre, ata kërcënuan se do publikonin gjithçka tyren online. Anëtari i grupit të hakersave u lirua.