"Fëmijët shqiptarë":Kujdes! Po kërkohen para për fëmijët autik
Fondacioni Fëmijët Shqiptare ka informuar sot qytetarët e Tiranës të mos bien pre e mashtrimit të disa personave të cilët duke u paraqitur si përfaqësues të fondacionit trokasin pranë familjeve në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe kërkojnë para për fëmijët autik.
Në një deklaratë për shtyp fondacioni “Fëmijët shqiptarë” me president zonjën Liri Berisha thekson se këto veprime janë krejtësisht abuzive dhe këta individë nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin e Fondacionit. Gjithashtu, fondacioni kërkon nga strukturat përkatëse që kryesisht të hetojnë këto veprime abuzive.
“Prej disa vitesh Fondacioni Fëmijët Shqiptare, organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse, dhe personalisht Zj. Berisha i kanë dedikuar kohën dhe vëmendjen maksimale fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe familjeve të tyre. Puna ka qenë e përqëndruar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për këto çrregullime dhe në ofrimin e shërbimeve për fëmijët e familjet e tyre. Veprimtaria e Fondacionit është mbështetur fuqimisht nga donacionet direkte të biznesit shqiptar e atij të huaj si dhe nga shumë organizata partnere ndërkombëtare. Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e strukturuar, institucionale dhe transparente, gjë e cila ka ndihmuar Fondacionin të ketë arritje pozitive si në rrafshin kombëtar, në atë rajonal e më gjerë” thuhet në deklaratën e fondacionit.