E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakeruan SPAK-un, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe 2 të tjerët refuzojnë kamerat (Diskutimet në sallë)

Kanë dalë sot para GJKKO në seancën e parë në themel grupi kriminal qe akuzohet se hakeroi emailet e disa prokurorëve të SPAK.

Të pandehurit Agim Ismaili, Zambak Gjonaj dhe Arnold Rrokaj refuzuan që të filmohen nga mediat ndërsa seanca u shty me kërkesë të avokatëvë të ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të cilët kërkuan ti vihet në dispozicion vendimi i gjyqtarit të seancës paraprake për të hartuar strategjinë e mbrojtjes.

Diskutimet në sallë:

Erjon Çela: Top Channel ka kërkuar ta ndjekë me kamera procesin.

Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili: Nuk pranojmë që seanca të filmohet.

Gjykata: Të pandehurit nuk japin pëlqimin për regjistrimin e seancës dhe, referuar vendimit të KLGJ-së, duhet marrë pëlqimi i të dyshuarve.

Gjykata: Është paraqitur Arnold Rrokaj, i cili jep gjeneralitetet. Ke qenë i dënuar më parë?

Rrokaj: I padënuar. I jap tagra të plota avokatit tim të më përfaqësojë në çdo seancë.

Zambak Gjoni: Jam me arsim të lartë, nuk kam qenë më parë i dënuar. Kam zgjedhur avokatin i cili do më përfaqësojë për çdo seancë.

Gjykata: I pranishëm Agim Ismaili.

Agim Ismaili: Arsim i lartë, i padënuar më parë. Kam zgjedhur dy avokatë, Kasteriot Selitën dhe Afrim Shehun.

Gjykata: Konstatojmë se në seancën e sotme janë të gjitha palët. Vijojmë me gjykimin. A keni kërkesa paraprake?

Prokurori Bledar Maksuti: Nuk kam kërkesa paraprake.

Avokati Afrim Shehu: Duke qenë se klienti im (Agim Ismaili) ka bërë disa kërkesa gjatë seancave paraprake, nuk jemi njohur në lidhje me këto kërkesa. Duam të na vihet në dispozicion ky vendim dhe të caktojmë edhe ne strategjinë e mbrojtjes për kërkesat që kemi bërë më herët.

Gjykata: Ju keni kërkuar vendimin e seancën paraprake përmes e-mailit apo në çdo formë.

Avokati: Në çdo formë.

Gjykata: Ndodhur në këto kushtet kur duhet të njihen me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake në kuadër të realizimit për një mbrojtje sa më efektive. Gjykata shtyn seancën për në datën 27 prill, ora 11.

Seanca e radhës u la me 27 prill ora 11:00.

Tre të pandehurit akuzohen për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›