E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e mafias shqiptare

Në vazhdimin e dytë të filmit aksion të vitit 2008 (Taken), Bryan Mills (Liam Neeson) duket se me shumë lehtësi i mposhtë kundërshtarët e tij. Në mesin e këtyre të fundit është edhe Rade Serbedzija, i cili shfaqet në rolin Murat Krasniqit, gjegjësisht, të mafiozit shqiptar të etshëm për hakmarrje.

Nëpër kinematë botërore fundjavën e kaluar filloi të shfaqet kooproduksioni filmik francezo-amerikan “Taken 2”, ngjarja e të cilit kësaj radhe zhvillohet në Stamboll. Gjykuar për nga të hyrat e realizuara, filmi do të jetë goxha fitimprurës.

Në fakt, bëhet këtu fjalë për pjesën e dytë të hit-filmit aksion të vitit 2008, “Taken”, me Liam Neeson në rolin e agjentit të pensionuar të CIA’s, Bryan Mills.

Në pjesën e parë të filmit, agjenti i pensionuar Bryan Mills, të cilit mafia shqiptare që merret me trafikimin e fermave ia rrëmben vajzën e vetme, në fund mezi arrin që ta shpëtojë atë. Ndërkaq, në pjesën e dytë të filmit, pra në “Taken2”, ngjarja vazhdon me hakmarrjen e anëtarëve të mbijetuar të bandës shqiptare ndaj ish-agjentit të CIA’s.

Vajza e re e Bryan, Kim (që luhet nga Maggie Grace) mundohet që të jetojë normalisht në Los Angeles, por këtë e ka tejet të vështirë ngase vazhdimisht përcillet dhe mbikëqyret nga babai i saj “mbrojtës”, dhe për shkak se i duhet të përballet edhe me problemet që e ëma (Famke Janssen) i ka me bashkëshortin e saj të ri. Si pasojë, Bryan, i cili ndodhet në Stamboll, ku i duhet të kryej një aktivitet të shkurtër të mbrojtjes, u propozon që të dyjave që t’i bashkëngjiten në qytetin turk, dhe të mundohet që bashkërisht t’i kthejnë “kohërat e vjetra”. Por, planet e tyre shumë shpejt prishen nga Murat Krasniqi (Rade Serbedzija), një mafioz ky shqiptar i biri i të cilit ishte vrarë nga Bryan, kur ky po mundohej që – në pjesën e parë të filmit - ta lironte vajzën e tij nga kthetrat e mafias shqiptare.

Gjatë aksionit hakmarrës, banda e Krasniqit arrin t’i kapë Bryan dhe Lenore, duke i kthyer kështu mbrapsht rolet nga pjesa e parë e filmit – ngase tani, është vajza e Bryan ajo që duhet t’i shpëtojë të dy prindërit...

Regjisori i ri, koncepti i vjetër

Edhe pse skenarist i filmit mbetet Luc Besson, regjinë e pjesës së dytë të tij e ka bërë Olivier Megaton, në vend të Pierre Morel, që ishte regjisor i pjesës së parë. Ndryshe, Megaton është regjisori i njëjtë që nga Morel mori edhe drejtimin e filmit serik të zhanrit aksion “Transporter”.

Por, për fat të keq, Morel nuk duket që solli ndonjë risi të theksuar në vazhdimin e dytë të filmit, sepse edhe tani kemi të bëjmë me një krijim pothuajse identik me pjesën e parë të tij. Pra, edhe tani mund të shohim një përzierje identike të aksionit familjar, i cili sërish luhet nga ekipi i njëjtë i aktorëve, megjithëse në një qytet tjetër – ngase ngjarja tani, në vend se në Paris, zhvillohet në qytetin e Stambollit, panorama e të cilit theksohet vazhdimisht nëpërmjet xhirimeve të jashtme.

Kritikat e kritikës

Sipas kritikëve filmikë, duket se problemi kryesor i filmit “Taken 2” nuk është vetëm ngjarja e tij – pak e shumë – e njohur dhe e parashikueshme, por edhe ajo që Bryan Mills sërish shfaqet tepër i fuqishëm ndaj kundërshtarëve. Për shembull, bie në sy sesi Mills duarthatë “për të dhjetën herë” arrin të mposhtë nga pesë kundërshtarë përnjëherësh, ose fakti që ai, me revolen e tij – plumbat e së cilës nuk përfundojnë kurrë – arrin të shtrijë përtokë gati një aradhë aktorësh negativë, të armatosur deri në dhëmbë. Këto, dhe detaje tjera të ngjashme, sigurisht që ndikojnë në atë që filmi të humbet tensionin që do të duhej të nxiste te shikuesi.

Megjithëkëtë, filmi “Taken 2” assesi nuk mund të cilësohet si film i dobët, po qe se nuk merret parasysh lidhja e tij tepër e ngushtë me pjesën e parë. Kjo për shkakun se dallimi me dy pjesëve është pothuajse inekzistent.

“Edhe pse filmi ‘Taken 2’ nuk është i kalibrit të ‘Taken’, ia vlen të shikohet. Në veçanti, nëse jeni kënaqur me origjinalin e vitit 2008. Vetëm se, mos e bëni gabimin që e bëra unë. Nëse pritni shumë nga filmi, befasisht mund të përfundoni të dëshpëruar”, nënvizon kritiku, Paul Kates, për portalin Flick Direct.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›