BE po i bën trysni Serbisë për marrëveshjet
Kosovapress: Çka mund të na thoni rreth raportimit të mediave serbe, pasi edhe ju keni dhënë një deklaratë se sot do të fillojë raundi i ri i bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. A është mbajtur ky takim?
Tahiri: Në fakt nuk është fjala për një raund të ri të bisedimeve në Bruksel, por me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian mbahet takimi i parë për zbatimin e marrëveshjes të IBM-it dhe të protokollit teknik, të cilën, pala serbe e ka nënshkruar pas shumë vonesash. Në këtë takim të parë marrin pjesë grupet e ekspertëve trepalëshe; të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Takimi do të zgjasë dy ditë, pra sot dhe nesër. Unë nuk pres ndonjë rezultat konkret përveç se ky takim mund të shërbejë për definimin e detyrave dhe kompetencave të të dyja shteteve që dalin nga protokolli teknik dhe marrëveshja e IBM-it dhe se, siç e dini, marrëveshja e IBM-së, menaxhimi i integruar i kufirit zhvillohet në bazë të modelit evropian, ku shteti i Kosovës ushtron kompetenca sovrane në çështjet e menaxhimit të kufirit, e njëjta ndodh edhe me palën serbe. Pra, me fjalë të tjera, është fjala për një bashkëpunim ndërshtetëror për çështjet e menaxhimit të kufirit ndërshtetëror në të mirë të një kontrolli më të madh dhe të një sigurie më të madhe dhe jam e bindur se është një kontribut për t’i luftuar fenomenet negative, kontrabandën dhe krimin dhe do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kosovapress: A do të thotë se ky takim më shumë është një presion ndaj Beogradit për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe po ashtu pas këtij takimi kur priten të zhvillohen bisedimet teknike me Serbinë edhe për çështje të tjera?
Tahiri: Pajtohem se ky takim për zbatimin e marrëveshjes së IMB-it është rezultat i trysnisë së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, e cila vazhdimisht iu ka shmangur obligimeve të dialogut teknik dhe tani mbetet të shihet se a është Serbia serioze në çështjet e zbatimit dhe sidomos të marrëveshjes së IBM-it dhe kjo do të shihet nga rezultatet e takimit të cilat priten kur përfundon nesër takimi. Sigurisht grupi i ekspertëve, i cili është grup i caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, meqenëse Ministria e Punëve të Brendshme është nënshkruese e protokollit teknik dhe në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ministria e Brendshme është në funksion të koordinatorit nacional për menaxhimin e Integrimit të kufijve të shtetit të Kosovës. Për sa i takon mundësive për vazhdimin e dialogut teknik që të adresohen edhe çështje të tjera të mbetura, siç e dini, qëndrimi jonë është i qartë, pa u zbatuar plotësisht në praktikë marrëveshjet e arritura në Bruksel nga ana e Serbisë ne mendojmë se nuk mund të vazhdohet me dialogut teknik.
Kosovapress: Ditë më parë po ashtu për mediat tona është përmendur se do të ketë përbrenda këtij viti edhe dialog politik pas atij teknik. A po flitet aty për një dialog politik me Serbinë, apo a dihet përafërsisht se kur do të mbahet dhe çka do të flitet në të?
Tahiri: Përveç ideve të lansuara nga Bashkimi Evropian se do të ketë një dialog të nivelit të lartë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes shteteve, unë nuk disponoj me informacione të tjera. E dyta, më sa po shihet, edhe vetë Bashkimi Evropian ose nuk e ka planin ose nuk e ka për publik. Mirëpo, sot për sot, këto gjëra kanë mbetur vetëm në nivel të ideve. Megjithatë, dua të shtoj se dialogu apo takimet e nivelit të lartë në mes udhëheqësve shtetëror të shteteve sigurisht se duhet të kenë për bazë një konsensus të gjerë politik dhe kombëtar, e cila duhet të arrihet në shtetin tonë dhe jam e bindur se rreth këtij parimi jemi të gjithë të bashkuar./kosovapress/