E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja, masakorhet nëna pas vrasjes së të birit

Një vit pas ekzekutimit mafioz të të birit, vritet nëna 60-vjeçare. Fatmira Dedej u qëllua mesditën e djeshme për vdekje, në momentin kur po parkonte makinën në garazhin e pallatit, pranë godinës së Tatim-Taksave të Durrësit.

Autori e ka goditur me mjete të mprehta pas koke, duke u larguar nga vendngjarja me çantën e dorës së viktimës. Policia dhe familjarët dyshojnë për vrasje me paramendim, pak kohë pasi infermierja me origjinë nga Kavaja po tentonte të mblidhte borxhet që i kishin të birit. Elvis Dedej u ekzekutua në qershor të vitit të shkuar pranë Shkëmbit të Kavajës, ndërsa e ëma jetonte e vetme, duke u bërë objekt i sulmit vdekjeprurës.

VRASJA
Kohën e krimit e ka përcaktuar një telefonatë që viktima u ka bërë të afërmve të vet rreth orës 12:20, kur i ka thënë se sapo ishte kthyer nga markata dhe po parkonte makinën, tip “Citroen”. Nga ky moment, askush nuk ka ditur gjë për fatin e saj, deri kur në orën 14:10 një fqinj i gruas ka hyrë në garazhin-bodrum për të marrë makinën e tij dhe pikasi viktimën. Me shpejtësi është lajmëruar policia e Durrësit, e cila fillimisht ka larguar banorët, të cilët ishin mbledhur rreth vendit ku ndodhi krimi, ndërsa më pas ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Dedejit. Pas ekzaminimit të kufomës nga ana e Mjekësisë Ligjore, Policia ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një vrasje në rrethana ende të pazbardhura mirë, duke hedhur poshtë versionin e një ngjarjeje aksidentale. Po nga të njëjtat burime mësohet se viktima nuk kishte shenja të tjera dhune apo goditjeje në trup, duke hedhur dyshimet për një vrasje të mirëmenduar nga ana e autorit.

SKEMA E KRIMIT
Ekspertë të kriminalistikës, si dhe hetues të çështjes, të cilët po ndjekin nga afër hetimet e ngjarjes, kanë ndërtuar skemën e krimit, si dhe lëvizjet e mundshme që mund të ketë bërë autori apo viktima përpara se të ndodhte ngjarja. Policia dyshon që autori, i cili ishte në dijeni se ku jetonte 60-vjeçarja, kishte pritur në hyrje të pallatit mbërritjen e Fatmirës. Në momentin kur ajo ka hapur në mënyrë automatike derën e garazhit, në bodrumin e pallatit të ri, pranë zyrës së Tatim-Taksave në Durrës, autori e ka ndjekur nga pas. Për të mos rënë në sy dyshohet të jetë fshehur pas automjeteve të tjera, duke pritur momentin e duhur për të sulmuar. Në momentin që gruaja ka zbritur nga automjeti dhe ka hapur bagazhin për të nxjerrë disa qese me ushqime, autori i është afruar duke e goditur disa herë me mjete të mprehta pas koke. Pasi gruaja ka rënë në tokë pa ndjenja, autori i ka marrë dhe çantën e dorës, duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja, pa u pikasur nga askush.

HETIMET
Pista e parë mbi ngjarjen e rëndë është ajo e krimit për hakmarrje, lidhur këto me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur i biri i viktimës, ndërsa fakti që i është marrë dhe çanta, konsiderohet si krim për grabitje. Pista e parë e hetimit është ngritur nga hetues të çështjes, për shkak të konflikteve të shumta që Elvis Dedej kishte me persona të tjerë, pjesë të një rrjeti të trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe për arsye të pronësisë. Sipas dëshmive të mbledhura nga familjarët, të cilët janë shprehur për Policinë se 60-vjeçarja kishte nisur të kërkonte borxhet e pronat që persona të tjerë i kishin të birit, tashmë të vrarë, i mëshojnë fort ekzekutimit për hakmarrje. Sipas tyre, viktima kërkonte me ngulm të merrte pjesën e pronave që i biri kishte pasur ortakëri me persona të tjerë, përfshirë këtu disa troje në bregdetin e Durrësit e Kavajës, një karburant etj. Ndërsa atë të vrasjes për grabitje, policia e lidh me faktin që autori, pasi e ka goditur, i ka grabitur çantën e dorës, në të cilën mendohet të mbante para. Pistën e grabitjes hetuesit e kanë në plan të dytë, pasi dyshojnë se autori i ka rrëmbyer çantën, në mënyrë që vrasja të dukej si grabitje dhe të sjellë shpërqendrimin e hetimeve./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›