Hakmarrja për Drejtësi, në gjykatën e Strasburgut

Megjithëse “hesapet” me drejtësinë shqiptare nuk i ka mbyllur ende, Kreshnik Spahiu të paktën që kur ka në xhep azilin politik në Zvicër, e bën gjumin e qetë. 34-vjeçari i cilësuar si një ndër djemtë më aktivë të së ashtuquajturës organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” dhe etiketuar publikisht vite më parë nga kryeministri aktual Sali Berisha, si njëri prej killerave më të rrezikshëm të kësaj “organizate”, pas pak ditësh do të mësojë me shumë siguri nëpërmjet telefonit, ose medies sesa vite burg do i “faturojë” Gjykata e Krimeve të Rënda. Prokuroria pak ditë më parë kërkoi 22 vjet heqje lirie për Spahiun, i cili në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Korrieri”, lëshon “bombën”, duke paralajmëruar dërgimin e dosjes “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi” në Gjykatën e Strasburgut. Në po të njëjtën intervistë Kreshnik Spahiu, i cili aktualisht jeton në Zyrih, rrëfen ferrin e ditëve kur merrej në pyetje, jo vetëm nga policia dhe prokuroria, por dhe nga vetë kreu i SHISH-it të asaj kohe Bashkim Gazidede dhe kreu i policisë Agim Shehu. Për çdo deklaratë të marrë me dhunë e torturë në komisariatin nr.2 të policisë në kryeqytet, në Malin me Gropa e në Durrës, në seanca pyetjesh pa avokat, tashmë “çunat” e “Hakmarrjes për Drejtësi” premtojnë se “do të hakmerren” në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pasi gati të gjithë janë të sigurt, se para gjykatës shqiptare për ta e ka marrë vendimin e dënimit politika. Në intervistën e tij, të dhënë vetëm 4 ditë para dhënies së vendimit, Spahiu jep dëshminë rrëqethëse jo vetëm në lidhje me ditët e marrjes në pyetje, por dhe në lidhje me miqtë e tij dhe njohjen me familjen Shyti, disa vrasje, autobombën tek supermarketi i “VEFA”-s dhe vjedhjen e Epitafit të Gllavenicës.
Kur filluan dhe si filluan problemet tuaja me drejtësinë?
Unë dhe familja ime nuk kemi pasur probleme me drejtësinë para datës 5 tetor 1996. Në orën 16:00 të kësaj date, ka qenë ditë e diel, u paraqitën tek kioska e familjes 3 persona dhe më thanë të shkoja me ta. Babai i pyeti pse po më merrnin, por i thanë të shkonte ta mësonte në Komisariat. Rrugës për në komisariat më shanin me fjalë rrugaçësh. Në komisariat doli inspektori i policisë gjyqësore që kishte dhënë urdhër të më arrestonin dhe filloi të më thoshte se drurin nuk do ta duroja dot, ti je një plehrë, një kriminel i kuq. Më futën në një qeli dhe më lanë 9 orë pa më pyetur. Më vonë mora vesh se njeriu që më thoshte se isha “kriminel i kuq”, ishte një oficer i Sigurimit të Shtetit me emrin Besnik Daci. Pas 9 orëve më mori në zyrë Daci dhe një tjetër. Këmbëngulnin që të thosha ato që donin ata se për ndryshe do më përdhunonin. Pastaj filluan të më rrihnin çnjerëzisht. Torturat fizike i filluan në orën 03.00. Më detyruan të hiqja rrobat e trupit dhe çorapet dhe morën një pykë hekuri dhe më qëllonin në fund të këmbëve. U kërkoja arsyen pse silleshin çnjerëzisht, se duhet ta kishin gabim informacionin etj., por më vonë kuptova se ishte budallallëk të kërkoje arsye nga ata njerëz. Ditën tjetër më hoqën nga komisariati nr.3 dhe më çuan në komisariatin nr.2. Edhe aty Daci ishte në krye të torturave.
Nuk të bënë asnjë akuzë konkrete?
Dy ose tri ditët e para nuk bën akuza. Më torturonin dhe më shanin se isha kriminel, vegël e “të kuqve” dhe i ish-sigurimsave. Një herë në mesnatë i ndaluan të rrahurat dhe më ngjitën në një zyrë. Personi që kisha përpara më nxori identikitin e personit që kishte bërë shpërthimin e autobombës tek Supermarketi i VEFA-s, dhe më tha se unë kisha vënë bombën, se këtë e dinin mirë. Kërkonin të dinin se kush më kishte urdhëruar dhe cili ishte qëllimi, me cilin person nga Partia Socialiste takohesha dhe çfarë orientimesh merrja. Unë i kundërshtova dhe u thashë se ku isha ndodhur kur shpërtheu autobomba dhe me cilët persona (ata ishin për fatin tim prokurorë). Por ata më thoshin se dëshmitarët nuk hynin në punë dhe më tregonin identikitin, që në të vërtetë kishte pak ngjashmëri me mua. Më pas kaluan në një lojë tjetër, më thoshin se në qoftë se nuk i merrja unë udhëzimet, kush i merrte dhe kush ishte ndërlidhësi, Leart Shyti apo i vëllai, Oriku? Kush e vrau drejtorin e Burgjeve etj? Pastaj më thanë se kisha vjedhur një bankë, se isha bashkëpunëtor në vjedhjen e Epitafit të Gllavenicës. Kishin kaluar disa ditë kur akuzat u bënë konkrete.
Ti në fakt kishe ndonjë lidhje me vjedhjen e Epitafit të Gllavenicës?
Asnjë lidhje nuk kam pasur me atë vjedhje. Unë kisha njohur disa vite para se të bëhej vjedhja Aleksandër Sotën, i akuzuar për vjedhjen e Epitafit, të cilin e kisha parë në televizor të arrestuar shumë ditë para se të arrestohesha unë. Kisha më shumë se dy vjet që nuk kisha shoqëri me të akuzuarin e kësaj vjedhje, Aleksandrin. Por Daci donte që unë të pranoja se kisha dorë në atë vjedhje. Gjatë torturave nga dhimbjet i kisha thënë Dacit të mos më godiste në krahun e djathtë se e kisha të thyer dhe brenda kisha akoma një shufër hekuri. Ai e gjeti pikën e dobët dhe më përdridhte krahun, derisa më detyroi të pranoja se gjoja Aleksandri më kishte dhënë disa monedha antike nga të muzeut. Ata në fakt morën në shtëpi monedhat që ishin koleksion i vëllait tim. Deri në vitin 1997, që unë i kallëzova në media koleksionin e vëllait tim e mbanin si provë. Mua në fakt nuk më akuzuan me letra për këtë vjedhje. Asnjërin nga personat e tjerë nuk kanë pyetur p