E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazidede në gjyq përballë Sefgjinit

Gjykata vendos të pezullojë gjykimin për Budion Meçen

TIRANË - Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede do të jetë një nga dëshmitarët kryesor në procesin gjyqësor ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros, pasi gjykimi për të pandehurin Budion Meçe do të pezullohet për shkak ët gjendjes tejet të rëndë shëndetësore të tij. Emri i Gazidedes si dëshmitar në këtë proces, sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, është mes 102 dëshmitarëve të tjerë që pritet të japin në Gjykatën për Krime të Rënda versionin e tyre për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdy Loshjat. Në listën e dëshmitarëve janë krerët më të lartë të SHIK-ut, të kohës duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e deri te personeli i bazës sekrete në Vain të Lezhës, ku dyshohet se janë izoluar dhe torturuar tre personat e rrëmbyer. Gjatë seancës së djeshme, prokurori i çështjes i paraqiti gjykatës kronologjinë e tri ngjarjeve të tetorit 1995, kur rrëmbehen Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdy Loshaj. Me anën e dëshmive dhe fakteve të mbledhura gjatë procesit hetimor, prokurori Xhevat Hana, i parashtroi gjykatës gjithë veprimet që katër të pandehurit e kësaj çështje kanë kryer nga momenti i rrëmbimit të viktimave e deri te torturat çnjerëzore për të firmosur deklaratën, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin bërë marrëveshje të sillnin në Shqipëri, armë të cilat do të përdoreshin kundër Republikës, në një kohë kur tre personat nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Gjithashtu prokurori i çështjes solli në vëmendjen e gjykatës torturat që u janë bërë tre të rrëmbyerve nga krerët e SHIK-ut të Tiranë dhe pasojat që ato kanë sjellë. “Duke mos i duruar dhe përballuar keqtrajtimet dhe torturat fizike e psikike, shtetasi Avdyl Loshaj ka vendosur t’i japë fund jetës. Këtë veprim e ka kryer ditën, në prani të shumë personave, duke u hedhur nga dritarja e banjës së katit të tretë, në momentin që është dërguar aty për nevoja personale, dhe ka rënë në oborrin e kësaj ndërtese, ngjarje kjo të cilën e kanë parë dhe deklaruar shumë persona” - tha prokurori. Ndërsa i rrëmbyeri i dytë, Ziso Kristopulli, si pasojë e torturave ka pësuar dëmtime në mushkëri dhe ka shkuar për kurim në Greqi. Remzi Hoxha është një tjetër viktimë e rrëmbimit dhe torturave të njerëzve të SHIK-ut gjatë vitit 1995. Ndryshe nga dy personat e parë, në rastin e Remzi Hoxhës, sipas prokurorisë është provuar fakti se ky person është rrëmbyer nga njerëzit e SHIK, të cilët kanë përdorur automjetet e këtij institucioni. Gjithashtu prokuroria bën me dije se i dëmtuari Avdyl Loshaj, ka deklaruar se për një moment ka parë në korridorin e bazës së SHIK në Vain të Lezhës, Remzi Hoxhën. Kërkesa për gjykim e lexuar nga Prokurori Xhevat Hana erdhi pas “OK” të gjykatës, e cila vendosi të pezullojë gjykimin për të pandehurin Budion Meçe, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Një fakt i tillë u konfirmua nga dy ekspertët mjeko-ligjor, të cilët dolën në konkluzionin se i pandehuri Budion Meçe ka dëmtime të trurit, dëmtim i cili i ka shkaktuar dhe paralizën. Tashmë procesi gjyqësor për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt do të zhvillohet vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, pasi i pandehuri tjetër Ilir Kumbaro është shpallur person në kërkim ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›