E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili: Unë me trofe, tjerët kontribut me fjalë

Presidenti Refik Halili ndihet i lumtur për fitimin e një tjetër trofeu, duke thumbuar “miqtë-armiq”

Ka qenë plot emocione gjatë gjithë ndeshjes, madje në disa momente presidenti i bardhebluve, Refik Halili, është ulur edhe në shkallët e tribunës VIP, pa menduar për vendin ku qëndronte. Mbase e ka dëshiruar shumë këtë trofe, pasi Kupa e Shqipërisë në vitin 2009 i ka shpëtuar nga duart përballë Flamurtarit.

Në përfundim mes emocioneve dhe festës, “bosi” i bardhebluve analizon fitimin e kupës, por nuk ngurron të futet edhe në problemet e financimit të skuadrës që ai drejton. Sipas Halilit, ai investon para dhe fiton trofe, ndërkohë që të tjerët e japin vetëm me fjalë ndihmën e tyre tek Tirana.

Por në fund presidenti i Tiranës hedh qartë “dorashkën” për një privatizim të klubit dhe për të arritur diçka të tillë duhet pa dyshim suporti i kryebashkiakut të ardhshëm të Tiranës, post i cili duket “i ngrirë” për momentin në kryeqytet.

- Z. Halili, riktheheni sërish pas 2 vitesh në “Niko Dovana”, por pas finales së humbur ndaj Flamurtarit, tashmë kupa është juaja…?

- Të them të drejtën, ka qenë një vit shumë i lodhshëm. Për të qenë realist, në këtë kampionat na janë mohuar shumë gola, por unë s’kam folur fare. Por e rëndësishme është që në fund kjo kupë ra në duart e skuadrës së Tiranës.

Unë jam i lumtur, pasi është kënaqësi të financosh e të fitosh trofe njëkohësisht, edhe pse kemi kaluar shumë vështirësi për gjëra që s’dua t’i flas, por është premtuar që do të vijnë donatorë të tjerë dhe si përfundim kam qenë i vetëm.

- Është kjo kupë një tjetër përgjigje për ata që nuk besojnë tek Halili si president i Tiranës?

- Nuk kam dëshirë të flas për njerëz që kontribuojnë me fjalë, pasi është ndryshe që të financosh nga xhepi yt dhe është ndryshe të flasësh e të japësh ide.

- Kishit emocione në momentin e 11-metërshtave?

- Të them të drejtën, kam pasur emocione. Madje kur do të godiste Andi Lila, duke ditur që ashtu siç është një futbollist shumë i mirë, ai ka shumë emocione si tip, kisha dyshime që do ta humbte atë penallti. Por kam bindjen se Andi do ta lajë gjithçka me një gol me kombëtaren.

- Ilion Lika e meriton plotësisht rrogën me këtë performancë të ditës së sotme (të djeshme)?

- Ai ka treguar gjatë gjithë kampionatit performancë të mirë. Për mendimin tim, ai është portieri më i mirë i kampionatit tonë. Këtë ia kam thënë në një bisedë edhe z. Duka, presidenti i FSHF-së. Absolutisht Ilioni është nr.1 i kampionatit tonë.

- Ishte një ndeshje ku palët ishin tepër korrekte në fushën e blertë. Fitoi “fair-play” në radhë të parë?

- Nëse e keni vënë re, në përfundim të sfidës kam shkuar duke i dhënë dorën të gjithë stafit dhe futbollistëve të Dinamos për t’i përshendetur për një “fair-play” nga ana e tyre, pastaj për anët e tjera s’na takon ne të futemi në këto gjëra.

- Do të mbyllen problemet financiare pas këtij trofeu?

- Fakti është që ekipi ka disa pagesa për të marrë. Flasim për muajt mars, prill dhe maj, por kanë edhe premio. Unë s’kam pse të bëj bujë nëpër media me premio bombastike, sepse premiot në rastë fitoreje dhe trofeu, janë të përfshira në kontrata.

Personalisht premtoj se do të vazhdoj financimet, por kjo varet edhe nga bashkia. Pasi cilido që të jetë në krye të këtij institucioni, duhet të na çojë drejt një privatizimi të klubit. Na duhet nga i pari i bashkisë të na japë drejtim për privatizimin e klubit.

- Çfarë mendimi keni për tifozët bardheblu?

- I përshëndes të gjithë tifozët e skuadrës së Tiranës. S’dua të flas shumë për ta, sepse fundja tifozi ka gjithnjë të drejtë. Do të mundohem që edhe në të ardhmen t’ua shpërblej atyre edhe me një financim akoma më të fuqishëm.

Sipas trajneri blu, Artan Mërgjyshi, këto janë fatet e futbollit dhe duhen pranuar

Mërgjyshi: Ishte një vit “jo” për Dinamon

Dinamo ka dalë kryelartë nga Kupa e Shqipërisë, pavarësisht se nuk ka mundur të sjellë në “Palmaresin” e saj trofeun e shumëpritur. Trajneri Artan Mërgjyshi në përfundim të sfidës është shfaqur tepër i mërzitur, por nuk ka bërë dramë. Ai pranon verdiktet e futbollit dhe tashmë jep një sinjal të qartë që blutë duhet të mendojnë për ndeshjen e së enjtes në “play-out” përballë Besëlidhjes.

“Ishte një ndeshje e bukur, por që në fund dolëm të humbur. Ky është futbolli dhe duhet t’i pranojmë verdiktet e tij. Ne kishim shanset tona dhe pas rezultatit 1-1 kishim disa mundësi të mira shënimi për të shkuar në 2-1. Tirana bëri ndeshjen e vet, pasi ishte një takim i hapur me mundësi nga të dyja skuadrat.

Ndoshta në pas golit të parë mund të kishim dyfishuar, por ngarkesa psikologjike ndikoi shumë, ndeshja kishte shumë tension, situata jo e mirë që kemi kaluar, kanë ndikuar tek ne për të mos qenë shumë të qetë.

Përfundimisht na mbetet edhe shansi i fundit në “play-out” për të mbyllur pozitivisht këtë sezon, por do ta konsideroja një vit “jo” për Dinamon 2011. Shpresoj të qëndrojmë në superligë dhe në sezonin e ardhshëm të mendojmë më të qetë.”

Misho: Jam i lumtur, është trofeu i parë

Trajneri i Tiranës, Misho Krstiçeviç, është shfaqur tepër i lumtur në përfundim të 120 minutave të ndeshjes finale. Kupa në fund i ka buzëqeshur pas 11-metërshave skuadrës së tij. Kroati pranon se është trofeu i parë i fituar dhe tashmë Tirana do të përgatitet për sezonin e ardhshëm për në Ligën e Europës. Por trajneri nuk harron të lakojë Ilion Likën, “heroin” e bardhebluve në këtë finale.

“Sigurisht që jam shumë i lumtur për këtë trofe, sepse është i pari në karrierën time si trajner. Jam tepër i kënaqur nga kjo arritje, sepse klubi do të ketë mundësi sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në Ligën e Europës. Nuk dëshiroj të flas në këto momente gëzimi për probleme financiare.

Presidenti ka folur dhe është sqaruar vetë me lojtarët dhe unë s’di shumë gjëra për punë parash. Nuk i kam humbur shpresat tek skuadra si kur pësuam golin e parë, por edhe kur mbetëm me 10 futbollistë. Skuadra besoi deri në fund tek fitorja e kësaj kupe dhe tashmë është në duart tona.

Penalltitë me fat apo meritë e Ilionit? Portieri ynë tregoi cilësitë e tij, ai ishte i mrekullueshëm, duke neutralizuar disa penallti të kundërshtarit. Ne fituam pas pritjeve të tij, çfarë mund të them më shumë?

Slishkoviç (ish-trajneri i Tiranës, me të cilin Misho ka punuar si asistent tek bardheblutë) është miku im, por s’mund të them që kjo kupë i dedikohet atij. Ne mund të fitonim së bashku kampionatin me Tiranën në sezonin 2008-2009, por fati nuk ishte shkruar i tillë.”

Putinçanin, sërish me probleme tek blutë

Mbrojtësi i Dinamos, Marko Putinçanin, ka kaluar sërish për herë të tretë në radhët e bluve një moment të vështirë për jetën e tij. Teksa po bënte dush në dhomën e rezidencës (“Ylli i Detit”) ku blutë ishin akomoduar, ai ka pësuar një krizë epileptike.

Ka qenë ora 9 e mëngjesit, teksa i gjendur me dy patriotët e tij Mlladen Brkiç dhe Milovan Miloviç në dhomë, Putinçanin është rrëzuar teksa bënte dush. Humbja e ndjenjave të futbollistit është shoqëruar me probleme të tjera dhe si pasojë si Brkiç dhe Miloviç janë lemerisur, duke kërkuar ndihmë nëpër korridor. Pasi i është dhënë ndihma e parë mjekësore, gjendja e tij është qetësuar dhe më pas futbollisti ka qëndruar i shtrirë pa probleme në dhomën e tij.

Kjo është hera e tretë brenda qëndrimit të tij që Putinçanin shfaq probleme me shëndetin. Pak kohë më parë para ndeshjes së javës së 24-të ndaj Shkumbinit sërish ai ka kaluar një krizë të tillë. Ndërkohë që e para ka ndodhur kampionatin e kaluar përpara ndeshjes Dinamo-Skënderbeu. Tek dinamovitët ka mbërritur dokumenti i një neurologu serb, që siguron se futbollisti mund të ushtrojë pa probleme aktivitetin sportiv.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›