E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi-Cannon: Vlerësim për bashkëpunimin në reformimin e drejtësisë

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, priti sot në një takim pune ambasadorin britanik, Nicholas Cannon, me të cilin bisedoi rreth ecurisë pozitive të disa prej projekteve të përbashkëta të ministrisë dhe ambasadës britanike në Tiranë në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Ministri Halimi falënderoi ambasadorin për mbështetjen e dhënë për realizmin e disa prej reformave të rëndësishme për sistemin, si shërbimi i provës, mbikëqyrja elektronike, hartimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile si dhe realizimin e marrëveshjes për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania e Madhe.

Halimi shprehu bindjen se modelet britanike të zgjedhura si në ngritjen dhe funksionimin e shërbimit të provës, monitorimin elektronik, duhet të jenë në qendër të vëmendjes edhe në të ardhmen.

Ministri e cilësoi të rëndësishme ecurinë e reformës në privatizimin e shërbimeve të caktuara në sistemin e burgjeve si dhe ne ngritjen e kapacitete monitoruese në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve. Në këtë drejtim, Halimi i kërkoi ambasadorit britanik që të vazhdojë mbështetjen për Ministrinë e Drejtësisë në vijim.

Nga ana e tij, Ambasadori Cannon shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Ministrin Halimi, duke vlerësuar se reformat e ndërmarra nga ai dhe të mbështetura nga Britania e Madhe janë një shembull pozitiv e prioritar për sistemin e drejtësisë.

Ambasadoi Cannon shprehu bindjen se do të vazhdojnë përpjekjet me qeverinë e re për përfundimin e reformës së nisur në drejtim të privatizimit të burgjeve, etj. Ambasadori në këtë takim shoqërohej nga drejtuesi i fondacioni Slynn, i cili drejton disa projekte të mbështetura nga Britania e Madhe në reformimin e sistemit të drejtësisë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›