E Diel, 1 Nëntor 2026

150 familje në Yzberisht pa ujë, Ujësjellësi tallet me banorët

Banorët kërcënojnë me protesta, Avokati i Popullit nis hetimet

Nga Arta AGOLLI

Dy prej pallateve pa uje ne YzberishtMungesa e ujit në kryeqytet duket se ka kaluar çdo kufi, pasi katër pallate me rreth 150 banorë gjithsej në zonën e Yzberishtit në një kompleks të ri, i janë rikthyer metodave primitive për tu furnizuar me ujë. Nëse banon në këtë kompleks të ri pallatesh që ka vetëm një vit e gjysmë që është populluar nga banorët, do të duhet që për çdo mëngjes e për çdo mbrëmje të shikosh një panoramë e cila fatkeqësisht, të kthen pas në kohë. Pikërisht para një dekade, atëherë kur prindërit tanë qëndronin në radhë me orë të gjata me bidona, fuçi e kova të mëdha për të furnizuar me ujë.
Problemi
Të rinj e të vjetër, fëmijë e pleq, burra e gra me bidona plastikë në duar, vërshojnë çdo ditë drejt një çezme, burimi i vetëm ku çdo kush mund të shuajë etjen e kësaj verë të nxehtë. Edhe ky burim është falë një biznesmeni i cili në buzë të rrugës ka dyqanin e tij dhe është treguar zemërmirë me banorët e pallateve, të cilët të vetmen shpresë për ujë të pijshëm kanë tubin plastik, në anë të rrugës. Lidhur me këtë problem i cili është dërguar si ankesë disa herë në drejtorinë e Ujësjellësit, dhe sërish nga ky institucion nuk është marrë asnjë masë, ditën e djeshme një përfaqësi me ekspertë për mbrojtjen e qytetarëve nga Avokati i Popullit do të kryejnë një takim me banorët e më pas do të nisin hetimet se kush janë përgjegjësit kryesorë për ndërprerjen e ujit në këtë zonë.
Ankesat
Edhe pse ky problem ka qenë i hershëm që prej verës së kaluar, askush nga institucionet përkatëse nuk ka marrë mundimin të flasë me banorët e të pranojë ankesat e tyre. Vetë banorët në këtë kompleks pallatesh deklarojnë për gazetën se përpara dy muajsh ka pasur ujë, për 24 orë pa probleme por sa vjen sezoni i verës, problemi i ndërprerjes së ujit është kthyer në makth për banorët. Administratori i tre pallateve Ersi Lalaj tregon se prej tre javësh, banorët përpiqen me çdo kusht në mënyra të ndryshme duke u munduar të mbushin ujë me bidona e me kova thuajse, gjithë ditën pasi tubat e çezmat e apartamenteve të reja thuajse janë tharë.

Ersi Lalaj: Drejtori i Ujësjellësit neglizhoi problemin

Sipas administratorit të pallateve i cili është banor i kompleksit ku uji mungon që prej tre javësh, Drejtori i Ujësjellësit edhe pse është vënë në dijeni të këtij problemi sërish duket se nuk e ka marrë në konsideratë problemin, por i sorollat banorët duke ju thënë se faji për mungesën e ujit nuk është nga drejtoria e Ujësjellësit por nga pompat e pallateve që kanë probleme. Përpara një javë kemi shkuar një grup banorësh në drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellësit, dhe kemi kërkuar të na zgjidhet problemi por drejtori na ka folur prerë se do ta shënonte problemin tonë, jemi të indinjuar që nuk mori as mundimin të pyeste sa kohë kemi me mungesë uji, e që na përcolli në atë mënyrë etike për të shprehet administratori Lalaj.

150 familje

kanë mungesë uji dhe vetëm një ditë pasi banorët njoftuan mediat vizive Ujësjellësi duket se u tregua dorëlëshuar duke e lëshuar ujin në rrjet vetëm për 25 minuta, gjë e cila tregon se problemi i vërtetë nuk janë problemet e pompave në pallat, por neglizhenca e drejtorisë dhe punonjësve të Ujësjellësit.

25 ditë pa ujë

kanë banorët e katër pallateve në zonën e Yzberishtit, të cilët kërcënojnë se nëse problemi nuk zgjidhet e nuk dalin përgjegjësit kryesorë të këtij problemi do të dalin të protestojnë në rrugë duke bllokuar rrugën kryesore deri sa shqetësimi për furnizimin rregullisht me ujë të pijshëm të zgjidhet përfundimisht.

Sahatet e ujit in ekzistente, kontrata e ndërtuesit fiktive
Sipas vëzhgimit të gazetës, drejtoria e Ujësjellësit është treguar tepër e vëmendshme për të vendosur për çdo familje  matësit e ujit, dhe për më tepër shumë prej familjeve që kanë hyrë që prej një viti në apartamentet e tyre, kanë kryer edhe pagesën për sasinë e ujit të harxhuar. Por në rastin e 150 banorëve që prej një muaji vuajnë mungesën e ujit sahatet duket se janë vendosur në mënyrë fiktive, pasi prej thuajse një muaji tubat e çezmave në banesa janë tharë e në momentin që Drejtoria e Ujësjellësit e lëshon për pak minuta ujin, duhen së paku 10 minuta që të shpëlahen tubat. Banorët shprehen për gazetën se përgjegjësia e mungesës së ujit nuk është vetëm e drejtorisë së Ujësjellësit por edhe e firmës së ndërtimit e cila në rast në kontratën e përbashkët me banorët u ka premtuar atyre 24 orë ujë pa ndërprerje. Në momentin që kam bërë kontratën me pronarin e Pallatit, kam firmosur se do të kisha në ujë dhe drita 24 orë, më është premtuar ujë i pijshëm pusi dhe tani me pa përgjegjshmërinë më të madhe, pronari i firmës më thotë, që pusin e ka personal dhe është Ujësjellësi ai që e ka caktuar me orar furnizimin me ujë shprehet një 45 vjeçare e cila edhe pse me probleme shëndetësore është e detyruar të mbushë ujë me krahë, për nevojat e përditshme. Sipas një tjetër banori, ai dyshon se uji i pusit që ka furnizuar më parë katër pallatet duket se është zhvendosur nga pronari i firmës në biznesin e tij, një palestër rreth 1 mijë metra katrorë e cila ndodhet shumë pranë pallateve ku mungesa e ujit ka shkaktuar mjaft shqetësim për banorët.

Banorët: Ujësjellësi dhe pronari i pallateve të marrin përgjegjësitë
Tepër të indinjuar, banorët rrëfejnë se gjendja është tepër problematike, pasi dalin në pikun e vapës, me bidonë dhe mbushin ujë. Sipas tyre për këtë problem drejtoria e Ujësjellësit apo pronari i pallateve duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Sivjet gjendja është akoma edhe më e vështirë, nuk vjen ujë fare, të mbushësh ujë me bidonë, në 2013-tën kjo është e turpshme. Ne do ta paguajmë ujin kokërr më kokërr, dhe nuk është drejtë edhe nga pronari i pallateve që na sorollat e na ka hequr pusin, madje nuk merr mundimin as të na dëgjojë për problemin që kemi, rrëfen një 30 vjeçare së cilës i duhet që për disa herë rresht të mbajë në krahë bidonët me ujë deri në apartamentin e saj në katin e tetë. Nga kati i 8-të zbres ditë për ditë, apo edhe dy tre herë në ditë për të mbushur ujë, lahemi si para 30 vitesh me kanoçe, dhe ky është turp ndaj bëjmë apel për zgjidhje, shton më tej një tjetër banor i moshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›