E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Emërimet në gjyqësor, Presidenti të konsultohet me parlamentin

17-06-2012 / Gazeta 55

Ministri i Drejtësisë kërkon neutralizimin e praktikës së trashëguar nga presidenti në detyrë, Bamir Topi i cili ka shmangur Kuvendin në emërimet e gjyqësorit. Halimi tha se dekretet e Presidencës së Bujar Nishanit duhet të jenë fryt i bashkëpunimit me Kuvendin 

Gjykata e Lartë do të ndahet në 3 kolegje, ndërsa numri i anëtarëve të saj do të rritet.
Këtë parashikon ministria e Drejtësisë në ligjin organik të hallkës kryesore të gjyqësorit që do ti përcjellë këtë muaj Kuvendit. Ministri Eduard Halimi, sqaron në një deklaratë për mediat, se nga kjo nismë ligjore që kërkon 84 vota varet dhe zbatimi në praktikë i ligjit të Gjykatës Administrative. Nga ky ristrukturim i Gjykatës së Lartë, do të vijë verdikti i fundit për çështjet e biznesit dhe administratës. “Ekspertët kanë menduar që numri të shtohet me 2 anëtarë, nga 17 në 19. Do të jetë e ndarë më tre Kolegje Gjykata e Lartë, një Kolegj Penal, një Kolegj Administrativ dhe një Kolegj Civil. Të treja këto kolegje do të kenë 6 gjyqtarë, 4 nga gjyqtarët aktualë dhe 2 nga gjyqtarët shtesë që do të vinë me shtinim e numrit”- u shpreh ministri Halimi.
Ligji i ri detyron presidentin të konsultohet më parë me Kuvendin, para dekretimit të çdo emri për gjykatës të lartë. Po ashtu, e detyron të bëjë publike të gjitha kandidaturat që garojnë për të plotësuar vendet vakante në këtë institucion. “Dekreti i presidentit i cili shkon në Parlament, duhet të jetë i argumentuar, i arsyetuar, cilat janë arsyet dhe motivet pse zgjodhi këtë kandidatë. Ligji shkon në të njëjtën filozofi së Gjykatës Kushtetuese, i cili i kërkon presidentit të Republikës që gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duhet të ketë një komunikim dhe një bashkëpunim me grupet parlamentare”, thotë ministri i Drejtësisë.
Ministria ka saktësuar dhe kriteret që duhet të përmbushë një jurist për t’u përzgjedhur si Gjykatës i Lartë. “Ata kandidatë që do të vinë nga sistemi gjyqësor, duhet të kenë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit, te ketë qenë 10 vjet gjykatës i Shkallës së Parë, 5 vjet në Gjykatën e Apelit dhe më pas ti lind e drejta për të shkuar në Gjykatën e Lartë”, shprehet Halimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›