Tirana zyrtare sqaron bllokimin e deklaratës së samitit të SEECP
Ministria e Jashtme: U shprehën qëndrime kundër Kosovës, ne kërkuam zbatimin e marrëveshjeve
Në datën 15 qershor 2012, në Beograd u mbajt Samiti i Kryetarëve të Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP). Samiti u parapri nga Takimi i një ditë më parë, i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme. Këto takime shënuan edhe mbylljen e Kryesisë të Serbisë në SEECP. Delegacioni shqiptar në dy takimet u kryesua nga z.Selim Belortaja, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Të dy takimet lidheshin përmes një agjende të ngjashme. Çështjet e shqyrtuara në takimin e Ministrave të Jashtëm do të duhet të merrnin miratimin final gjatë punimeve të Samitit. Samiti miratoi edhe zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Në të dy ndërhyrjet e bëra nga kryetari i delegacionit shqiptar, u vu në dukje fryma konstruktive dhe kontributi i Shqipërisë në proceset dhe nismat e bashkëpunimit rajonal. U nënvizua progresi i bërë në proceset integruese, jo vetëm si objektiv prioritar i politikës sonë të jashtme por edhe si forcë shtytëse për reformat e brendshme.
Theks i veçantë iu vu nevojës për respektimin e parimit të gjithëpërfshirës të vendeve të rajonit-në tryezat rajonale, si dhe u bë thirrje për përshpejtimin e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, në përputhje me marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së.
Rendi i ditës parashikonte gjithashtu, miratimin e Deklaratës Politike të SEECP. Veçanërisht, gjatë Samitit, u konstatua ashpërsimi gjuhës kundër Kosovës si një shtet i pavarur si dhe një qëndrim i prerë kundër përfaqësimit të saj në forumet rajonale.
Në fjalën e tij Presidenti Nikoliç nënvizoi se “Pozita parimore e Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës ….mbetet e pandryshuar. Ne nuk do të njohim kurrë, direkt apo indirekt, deklaratën e njëanshme të pavarësisë”.
Ndërsa Ministri i Jashtëm të Jashtme, z.Jeremiç ndërmjet të tjerave theksoi se “…kudo dhe për aq kohë sa do të ketë Republikë të Serbisë, nuk mund të ketë “Republikë të Kosovës”.
Gjatë gjithë procesit të negocimit të deklaratës Delegacioni shqiptar, insistoi në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për dialogun Prishtinë-Beograd.
Mbas shumë tentativave tona për të riorganizuar negociata për këtë paragraf me ndjeshmëri të lartë, pala serbe nuk na u përgjigj në asnjë rast. Duhet theksuar se qëndrimi ynë ishte në një linjë me atë të disa delegacioneve të pranishme, përfshirë delegacionin e Komisionit Europian.
Gjuha e përdorur në propozimin shqiptar përkon tërësisht me formulimet zyrtare të BE-së. Pala shqiptare tregoi gatishmëri, për të arritur në kompromis. Konsensusi u bë i pamundur sidomos pas fjalimeve të lartpërmendura. Ndërkohë që pala serbe insistoi deri në fund në përjashtimin e termit “marrëveshje ekzistuese”.
Si përfundim Kryetari seancës lajmëroi mosmiratimin e Deklaratës politike për shkak të mosdhënies së konsensusit.