Halimi: Ndryshimet në Kushtetutë? Ia lëmë Kuvendit
“Reformat kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sigurinë. Qytetarët nuk kanë nevojë se kush ulet e ngrihet në karrige. Populli është pushim, do pushim, do rend e qetësi, ndërsa pjesa tjetër i përket Parlamentit”. Kështu i është përgjigjur dje ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kërkesave të opozitës për ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit, duke këmbëngulur se kjo duhet t’i lihet Parlamentit. Në vlerësimin e Halimit reformat në sistemin e drejtësisë janë ato që cilësohen të domosdoshme dhe në interes të qytetarëve. Halimi i bëri këto komente gjatë inspektimit të djeshëm në kompleksin e paraburgimit në Elbasan. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë është e vendosur të çojë përpara reformat e nisura, duke iu përshtatur standardeve dhe kërkesave të BE-së. Në Elbasan ministri u njoh nga afër me këtë investim të rëndësishëm, duke treguar interes të veçantë për standardet dhe kohën e përfundimit të tij. Specialistë të këtij projekti prezantuan punën e bërë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për finalizimin e një prej projekteve më të rëndësishëm në fushën e drejtësisë të viteve të fundit. Duke marrë fjalën me këtë rast, ministri u shpreh se “ky është një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe Komunitetit Europian, që kap vlerën e mbi 4 milionë Euro, një projekt jashtëzakonisht serioz dhe me standarde që tregon interesin e qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë në vendin tone”. Sipas tij, qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë është rritja e rendit dhe sigurisë publike, në mënyrë që ata që kryejnë vepra të rënda penale të vuajnë dënimin në vende të sigurta dhe qytetarët të jenë të qetë.