E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Ceka: Propozimin e bën PD-ja, jo aleatët

Kreu i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, vlerëson se debati për emrin e kreut të ri të shtetit është i parakohshëm. Në një prononcim për “Mapo”-n dhe në cilësinë e njërit prej krerëve të partive përbërëse të koalicionit qeverisës, Ceka thotë se propozimi për Presidentin e ardhshëm i takon shumicës parlamentare, nëse i referohemi Kushtetutës së Shqipërisë. “Ndryshimi i Kushtetutës e ka bërë të qartë tanimë këtë pjesë”, theksoi Ceka. Duke komentuar propozimet e ditëve që fundit, të bëra nga parti të vogla të pozicionuara në mazhorancë dhe opozitë, Ceka tha se do të duhet që Partia Demokratike të shprehet për këtë çështje, pasi nuk janë partitë e vogla ato që vendosin. I pyetur se cili është këndvështrimi i tij për dy kandidaturat e përfolura, e propozuara nga PDK dhe ADK, konkretisht Bamir Topi dhe Jozefina Topalli, kryetari i Aleancës Demokratike mendon se shanset më të mëdha mes këtyre dy emrave i ka zonja Topalli. Në fillim ishte kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, që deklaroi se mbështet rikandidimin e Bamir Topit dhe se do të propozonte që kjo kandidaturë të ishte e përbashkët e të gjithë opozitës së bashkuar. Sakaq, një tjetër demokristian, kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, propozoi kandidimin e nënkryetares së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Sipas tij, kandidatura e Topallit ka mbështetje përtej mazhorancës për t’u ngjitur në këtë pozicion të lartë shtetëror. Në prononcimin e tij, Neritan Ceka komentoi edhe propozimet e opozitës për ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. “Kushtetuta nuk duhet të ndryshohet vetëm sepse këtë e kërkon kryesocialisti Edi Rama. Kushtetuta e vendit nuk ka nevojë për t’u ndryshuar”, vlerësoi Ceka. Në këndvështrimin e tij ka vetëm tre vjet që është ndryshuar dhe aktualisht nuk ka asnjë nevojë, por mbi të gjitha nuk ka as vullnet politik për ta bërë këtë gjë. “Madje, për mua është absurde që të kërkosh që, pasi e përcaktove vetë që Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, pasi nuk mund të vendosë në vështirësi vendin, tashmë të ndërrosh mendje”, këmbënguli Ceka. Duke vënë në dukje se rikthimi në Kushtetutë i zgjedhjes së kreut të shtetit me shumicë të cilësuar, nuk është gjë tjetër veçse një pengesë për vendin, kreu i PAD-së theksoi se “tashmë kjo çështje është e zgjidhur. Unë mendoj se kriza politike që ka përfshirë PS-në nuk mund të zgjidhet në kurriz të popullit shqiptar, sepse në fund të fundit është ai që i paguan kostot”. Ceka insiston se partitë politike duhet të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor, për të sanksionuar në mënyrë absolute që partitë politike të largohen përfundimisht nga menaxhimi i procesit të numërimit të votave, i cili duhet të jetë elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›