E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi për hapjen e kutive, Kushtetuesja refuzon shqyrtimin

Nisma e ndërmarrë gati një vit më parë nga një grup qytetarësh për të mbajtur një referendum popullor për hapjen ose jo të kutive të votimit të vitit 2009, si mundësi për zgjidhjen e krizës politike, ka marrë goditjen e radhës edhe nga Gjykata Kushtetuese. Pas rrëzimit që i bëri në shtatorin e shkuar KQZ-ja kësaj kërkese, edhe Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk ka pranuar ta shqyrtojë atë në përmbajtjen e tij, duke pushuar që në trajtimin paraprak, si i pabazuar në ligj. Në vendimin e zbardhur Kolegji i Gjykatës Kushtetuese çmon se kërkesa e paraqitur nga një grup nismëtar është haptazi e pabazuar. Përderisa KQZ-ja, siç rezulton nga vendimi i datës 28.09.2010, ka vlerësuar anën formale të rregullsisë së dokumentacionit, që lidhet me përcaktimin e qartë të llojit të referendumit e të llojit të objektit të kërkesës, Kolegji çmon se një shqyrtim i tillë nuk përfshihet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por të KQZ-së. Ndaj qëndrimeve që mban Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me parregullsinë e dokumentacionit të paraqitur është detyrimi i kërkuesit për të shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore që kërkon Kodi Zgjedhor për të riparaqitur kërkesën pas korrigjimit të parregullsive të vërejtura. Përderisa këto çështje përfshihen në juridiksionin e KQZ-së dhe nuk janë pjesë e ndonjë juridiksioni kushtetues, Kolegji vlerëson se kërkesa, si haptazi e pabazuar, nuk plotëson kushtet për t’u kaluar në seancë. Grupi nismëtar për zhvillimin e një referendumi, në mbështetje të nenit 150 të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor paraqiti kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi, për një çështje të rëndësisë së veçantë, duke ftuar zgjedhësit për të vendosur në lidhje me rinumërimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Pas ndërhyrjes së KQZ-së me shkresën nr.398, datë 24.8.2010, kërkuesi ka paraqitur përsëri kërkesën, duke saktësuar tri pyetjet e shtruara në pyetjen e vetme se “A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009?”. Pasi e mori në shqyrtim, KQZ vendosi ta rrëzojë kërkesën si të paqartë. Ndaj këtij vendimi nismëtarët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkonin asaj rrëzimin e vendimit të KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›