Halimi: Reformimi i pagave përmirëson dhënien e drejtësisë dhe redukton nivelin e korrupsionit
Reforma më e re në sistemin e drejtësisë, rritja e pagave të gjyqtarëve
Ministria e Drejtësisë ka tashmë gati draftin e ligjit për reformën e pagave ne sistemin gjyqësor. Një fakt i tillë u bë publik nga vetë ministri Halimi, i cili përmes një mesazhi të postuar në Facebook ka dhënë dhe arsyet se përse vjen një reformë e tillë, e cila do të jetë për diskutim në Kuvend në muajin prill.
“Në strategjinë e reformës se sistemit te drejtësisë”,- shkruan Halimi në facebook, -përveç rritjes se eficencës së sistemit gjyqësor nëpërmjet rishpërndarjes se gjyqtareve sipas ngarkesës, rritjes se transparencës së sistemit me fokus rritjen e përgjeshmërisë dhe llogaridhënies, padyshim që përmirësimi i statusit te gjyqtareve është një nga çështjet kryesore të reduktimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe rritja e pagave është element thelbësor i përmirësimit të statusit.
“Çdo gjyqtar që fillon punën ditën e parë nuk mund të ketë një pagë më të vogël se 100.000 lekë/muaj. Një pagë më e mire, do ta bëjë atë më të pavarur nga vektorët ekonomik, por dhe të përgjegjshëm nga çdo sanksion. Gjyqtari i krimeve të rënda do të paguhet jo më pak se 120.000 lekë/muaj. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit (minimalisht 7 vjet gjyqtar karriere) nuk mund të ketë pagë më të ulet se 140.000 lekë/muaj). Një gjyqtar i shkallës së parë me 25 vjet punë, pagë të njëjtë me gjyqtarin e apelit. Një gjyqtar në Gjykatën e apelit me 25 vjet pune, pagë të njëjtë me Gjykatën e Lartë”, sqaroi Ministri i Drejtësisë.