E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon gara zgjedhore në Maqedoni, PDSH akuzon për parregullsi

24-03-2013 / Gazeta 55

-- Menduh Thaçi nuk voton, s’gjen emrin në listë


-- Të drejtën e votës e kanë realizuar 1.001.757 qytetarë, ose 57.53 për qind e trupit votues – pjesëmarrja më e madhe është regjistruar në komunën e Kërçovës me 72% 


UPDATE- Procesi zgjedhor ka përfunduar në ora 19:00. Votuesit të cilët ndodhen brenda hapësirës së qendrave të votimit dhe që nuk kanë mundur të realizojnë deri në ora 19 të drejtën e votës, do të lejohen megjithatë të hedhin votën e tyre.
Jehona e votuesve në Kërçovë ka qenë 71.83 për qind. Në këtë qytet që nga ora shtatë e mëngjesit janë hapur 106 vendvotimet ku votën e tyre duhet ta hedhin 48044 votues, sa janë të regjistruar në regjistrin zgjedhor. Procesi zgjedhor ka nisur pa probleme, ndërsa deri në ora 13, jehona e votuesve atje ishte 56 për qind.
Ndryshe, të dyja palët edhe shqiptarët dhe maqedonasit prognozojnë fitore në këtë qytet.
Kandidat shqiptar për këtë komunë është Fatmir Dehari nga BDI me mbështetje edhe të PDSH-së e RDK-së, ndërsa nga VMRO-DPMNE e LSDM Bllagoja Despotovski.
KSHZ ka publikuar të dhënat e daljes së votimit deri në ora 17, dhe rezulton se të drejtën e votës e kanë realizuar 1.001.757 qytetarë, ose 57.53 për qind e trupit votues.

Përqindja e votuesve në komunat shqiptare:
Kërçovë: 71.83 për qind
Haraçinë: 55.32 për qind
Tetovë: 50.79 për qind
Çair, 44.26 për qind
Strugë: 57.81 për qind
Saraj: 50.63 për qind
Gostivar: 48.61 për qind
Likovë: 46.48 për qind
Studeniçan: 51.61 për qind
Tearcë: 46.19 për qind


Në Kërçovë votojnë 72% e votuesve


Në Kërçovë po vijon fluksi i madh i votuesve nëpër qendrat e votimit, për të dhënë votën për zgjedhjet lokale. Në këtë qytet po zhvillohet garë mes kandidatit shqiptar të BDI-së, Fatmir Dehari, dhe atij të koalicionit  VMRO-LSDM, Bllagoja Despotovski.  Komisioni Zgjedhor Komunal në Kërçovë bëri të ditur se deri në ora 17:00 kanë dalë në votime 71,8 për qind e votuesve. Komisioni komunal ka bërë të ditur se zgjedhjet kanë kaluar me rregull dhe se nuk janë regjistruar parregullsi. Në komunën e Kërçovës ka pasur jehonë të madhe të votuesve, sidomos këtë e ka shtuar numri i ardhur i mërgimtarëve shqiptarë nga diaspora. Të drejtën e votës në këtë komunë e kanë 48.044 qytetarë, që mund të votojnë në 106 qendra të votimit. Në këtë rajon vërehen forca të shtuara policore, ndërsa ka edhe një vëzhgim masiv në vendbanimet shqiptare si Zajaz, Osllomejë, Serbicë, Kollarë, Aranjellë, etj.


Menduh Thaçi nuk voton, s’gjen emrin në listë - akuza Ministrisë së Brendshme


Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nuk ka mundur të votojë pasi emri i tij nuk figuronte në qendrën e votimit në Tetovë. “Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës, nuk e ka informuar Entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtynë të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Ndërkaq, një deputet tjetër i PDSH-së nuk ka ushtruar të drejtën e votimit, pasi nuk kishte emrin në listë. Pas daljes nga vendvotimi, deputetja znj.Merale Uzeiri Ferati denoncoi rastin, duke deklaruar se janë spastruar nga listat e votimit shumë shqiptarë, mes tyre edhe deputetë. “Fatkeqësisht emri im nuk gjendej në listën e votuesve me të drejtë vote. Pas shumë cikleve zgjedhore që unë votoj në këtë vendvotim, kësaj radhe nuk isha e shlyer. Përpos shumë insistimeve të PDSH-së për të pastruar listat zgjedhore nga votuesit fiktiv, si duket nga lista e qytetarëve me të drejtë vote kanë pastruar shumë shqiptarë, përfshirë aty edhe neve, deputetëve të PDSH-së. Kjo është skandaloze”- deklaroi deputetja e PDSH, Merale Uzeiri Ferati.


Asociacioni "Most" raporton për parregullsi në disa qendra votimi


Sipas informatave të vërtetuara të lajmëruara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të MOST-it, deri më tani janë vërejtur parregullsitë në vendet zgjedhore si më poshtë: Vendi zgjedhor 1537 komuna e Probishtipit, i është lejuar një personi të votojë para se të kontrollohet në LZ dhe derisa ai ishte prapa paravanit KZ-ja ka konstatuar se ky person nuk është në LZ. Fletëvotimet janë të anuluara dhe është përpiluar procesverbal. Vendi zgjedhor 0937 komuna e Kratovës, paravani për votim ka hapësirë me çka është shkatërruar fshehtësia e votimit. Vendi zgjedhor 0845 komuna e Koçanit, ka pasur ndërprerje prej 15 minutash për shkak të llambave UV të prishura. Të njëjtat janë riparuar dhe votimi ka vazhduar. Vendi zgjedhor 0678 komuna e Kavadarit, vëzhgues partiak ka bërë listë me votues pasi emrat e tyre lexohen me zë të lartë. Pas reagimit të vëzhguesve dhe anëtarëve tjerë të KZ-së lista është marrë dhe shkëputur dhe votimi ka vazhduar. Vendi zgjedhor 2563 komuna Gjorçe Petrov, vëzhgues i partisë politike në 7 raste u ka ndihmuar votuesve gjatë votimit dhe u ka sugjeruar për kë të votojnë. Vendi zgjedhor 2916 komuna e Çairit, votuesi nuk ka qenë i shënuar në LZ, kurse i është lejuar votimi. Vendi zgjedhor 1583 komuna e Radovishit, janë vërejtur më shumë se 10 raste të votimit familjar, si dhe rast në të cilin një person u ndihmon më shumë personave gjatë votimit. Vendi zgjedhor 1906 fshati Labunishtë në komunën e Strugës, janë vërejtur më shumë se 10 raste të votimit familjar. Vendi zgjedhor 1908 fshati Labunishtë në komunën e Strugës, janë vërejtur 14 raste të votimit familjar. Vendi zgjedhor 1905 fshati Labunishtë në komunën e Strugës, më shumë se 35 raste të votimit familjar. Vendi zgjedhor 2613 komuna e Karposhit është regjistruar pjesëmarrja e paautorizuar e bartësit të listës së këshilltarëve në objektin. Vendet zgjedhore 0276, 0277 dhe 0279 komuna Plasnicë, është vërejtur shkelje sistematike të procedurës së votimit. Janë vërejtur më shumë se 60 raste të votimit familjar dhe mospërdorimit sistematik të llambës UV. Vendi zgjedhor 1253 komuna e Ohrit, janë regjistruar dy raste ku në fletëvotimet ka pasur kandidat nga komuna tjetër. KKZ-ja e ka vizituar këtë vend zgjedhor dhe këto fletëvotime i ka futur në zarf të veçantë. Vendi zgjedhor 1999 komuna e Tetovës, janë vërejtur më shumë se 35 raste të votimit familjar. MOST-i edhe një herë rikujton se në këto zgjedhje vëzhgues të vetëm të autorizuar të MOST-it janë ata qytetarë të cilët përveç akreditimit të KSHZ-së kanë edhe autorizimin e MOST-it dhe mbajnë maicë të verdhë në të cilën shkruan “Monitoring 2013”.


Në komunën e Çairit zgjedhjet në atmosferë demokratike


Procesi zgjedhor në gjithë vendin, me disa përjashtime në vendvotime maqedonase, sot është zhvilluar në atmosferë të qetë. Ndërkohë dalja në votime më e lartë ka qenë në Kërçovë. Në komunën e Çairit votimi në vendvotimet në Shkollat fillore "Tefejuz" dhe "Liria" ka rrjedhur në atmosferë demokratike pas asnjë parregullsi. Kryetarja e vendvotimit 2896, Tylaj Krasniqi në shkollën fillore "Tefejuz" u shpreh e kënaqur nga mënyra se si qytetarët dalin e shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. "Procesi i votimit ishte në rregull, votimi ka filluar në ora shtatë, deri tash nuk kemi pasur ndonjë aksident ose mosmarrëveshje, në listë i kemi të shënuar 623 votues dhe deri tani në votime kanë dalë 302 persona", u shpreh Krasniqi. Po ashtu edhe në Shkollën fillore "Liria", procesi ka rrjedhur pa ndonjë pengesë.


Vijon normalisht votimi në komunën e Strugës


Në komunën e Strugës, ku janë të evidentuar 56.341 votues, të shpërndarë në 78 vendvotime, kutitë e votimit janë hapur në ora 7 të mëngjesit dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi. Sipas kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor, Xhengis Hani, parregullsi nuk janë shënuar në asnjë vendvotim, ndërsa jehona e daljes është në nivel të pritur. Deri në ora 13, sipas KKZ-së, kanë dalë 32.77% të numrit të përgjithshëm të votuesve, ndërsa fluks më i theksuar pritet në orët e pasdites e sidomos në prag të mbylljes së vendvotimeve, ndërmjet orës 18-19.00, kur edhe mbyllen vendvotimet, njofton korrespondenti i agjencisë së lajmeve INA. Përkundër faktit që nga KKZ-ja pohojnë se nuk ka parregullsi, shumë qytetar ankohen se nuk gjinden në listat zgjedhore, duke qenë të shlyer nga listat edhe pse në zgjedhjet e kaluara kanë qenë në lista. Raste të këtilla janë paraqitur në Veleshtë, në Ladorishtë e në vende të tjera. Karakteristikë e veçantë e këtyre zgjedhjeve është se në Strugë kanë zbarkuar ministra e zyrtar të tjerë të lartë të VMRO-DPMNE-së, duke u shpërndarë nëpër vendbanimet etnikisht shqiptare, siç është rasti me ministrin e bujqësisë Lupço Dimoski, që është “ankoruar” në vendvotimin 1913 në Veleshtë, mandej ministri i punëve të jashtme Nikolla Popovski në Livadhi, ministri Vele Simak në Ladorishtë, ish deputeti dhe zyrtar i lartë i VMRO-së, Karaxhov në Veleshtë e kështu me radhë. Në orët e mesditës, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, z.Arben Çejku, qëndroi në Strugë, me ç’rast vizitoi selinë e Komisionit Komunal Zgjedhor dhe bisedoi me kryetarin e KKZ-së, Xhengis Hani për vijimin e procesit zgjedhor e pastaj vizitoi disa vendvotime si ato në Veleshtë, Livadhi dhe Ladorishtë. Gjatë vizitës që i bëri vendvotimit numër 1913 në Veleshtë, ambasadori Shqiptar Arben Çejku, vërejti dhe konstatoi se ministri i bujqësisë, Lupço Dimovski, në cilësinë e vëzhguesit, është ulur në vend të papërshtatshëm, ndërmjet kutisë së votimit dhe vendvotimit, që është në kundërshtim me pozicionimin e vëzhguesve të tjerë, duke thënë: “Shpreh shqetësimin tim sepse ministrit Dimovski nuk i është mundësuar të ulet aty ku janë edhe vëzhguesit tjerë!”. Nga Këshilli votues deklaruan se kanë reaguar për këtë por ai edhe më tutje vazhdon të qëndrojë aty. Gjatë vizitës që i bëri vendvotimit numër 1899 në Livadhi, ambasadori Shqiptar Arben Çejku, takoi edhe ministrin e jashtëm Nikolla Popovski, në cilësinë e vëzhguesit, por i ulur në vendin e duhur, nga ishin edhe vëzhguesit tjerë. Ambasadori Shqiptar Arben Çejku, vizitoi edhe vendvotimin numër 1875 në Ladorishtë, ku u njoftua për rrjedhën e procesit zgjedhor në këtë vendbanim dhe më pas vazhdoi rrugën drejtë Dibrës, për tu njohur nga afër me procesin zgjedhor në këtë komunë. Në ndërkohë, në Strugë sapo ka mbërritur ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, i cili për tu njohur me rrjedhën e procesit zgjedhor, do të vizitojë disa vendvotime, përfshirë këtu në rend të parë Llabunishtën dhe vendbanimet tjera të komunës së Strugës. Po ashtu, në Strugë janë vërejtur edhe disa vetura të Misionit të OSBE-së, që kanë qarkulluar nëpër qytet dhe nëpër vendbanimet tjera, në cilësinë e vëzhguesve të procesit zgjedhor.


Votimet


Në orën 7 të mëngjesit në Maqedoni kanë nisur votimet për drejtuesit e rinj të komunave. Zgjedhjet vendore mbahen në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit vendor. Në zgjedhjet vendore të gjashtat pas pavarësisë së Maqedonisë konkurrojnë 350 lista për kryetarë të komunave dhe 480 lista për këshilltarë. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve në rreth 3 000 vendvotime, votën e tyre, sipas listës zgjedhore duhet ta japin 1 milion e 700 mijë qytetarë. Procesi i votimit rrjedh qetë, në atmosferë demokratike dhe pa ndonjë incident të veçantë. Një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e tyre të votës në burgjet e realizuan 1.446 votues, por në mungesë të dokumenteve biometrike rreth 500 të burgosur vetëm në Idrizovë nuk kishin mundësi të votonin. Ndërsa 136 zgjedhës me status të personave të zhvendosur brenda vendit, personat që ndodhen në arrest shtëpiak dhe personat e sëmurë, të cilët nga komisionet komunale zgjedhore kanë kërkuar që këtë të drejtë ta realizojnë në shtëpitë e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nuk do të lejohet kurrfarë prishje e procesit zgjedhor. Policia që nga ora 6 e mëngjesit është e stacionuar në të gjitha pikat e votimit. Zgjedhjet vendore po vëzhgohen nga gjithsej 8 mijë e 379 vëzhgues vendorë dhe 410 vëzhgues të huaj, prej të cilëve 220 nga OSBE –ODHIR. Shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së Gert Arens ka apeluar për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›