Haliti: Krasniqi është një ndër figurat më emblematike të PDK-së

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti nuk i ka marrë me shqetësim deklaratat e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për mundësinë e largimit të tij nga PDK-ja dhe formimin e një subjekti të ri politik. Ai tha se Krasniqi mbetet një ndër figurat më të respektuara në PDK.
Është kryetar i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, por ka kohë që qëndrimet e tij nuk janë asnjëherë në linjë me qëndrimet e partisë në pushtet. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vazhdon të ketë qëndrimin e tij, e ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga PDK-ja dhe formimin e një subjekti të ri politik. Bashkëpartiaku i Krasniqit, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, paralajmërimet e Krasniqit nuk i ka marrë me shqetësim, transmeton rtk.
“Demokracia e brendshme e ka këtë. Zoti Krasniqi është një ndër figurat më emblematike të PDK-së dhe ne e kemi respektuar dhe do ta respektojmë gjithnjë”, tha Haliti.
I pyetur për mundësinë e shkarkimit të Krasniqit nga posti i kryeparlamentarit, në rast të daljes së tij nga PDK-ja, Haliti ka thënë se janë dokumentet të cilat duhet të respektohen.
“Ne e kemi statutin e partisë në raport me të cilin jemi të obliguar të gjithë dhe kemi një rregullore të Grupit Parlamentar dhe do t’i përmbahemi asaj për çdo rast”, tha Haliti.
Ndryshe, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk e sheh të ardhmen e tij në Partinë Demokratike të Kosovës, të cilën e kritikon për mungesë të demokracisë. Ai ka paralajmëruar mundësinë e formimit të një subjekti politik, duke thënë se këtë ua ka borxh qytetarëve./Indeksonline/