E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallakamë në Gjilan

Muharrem Sahiti nuk e ka ndërmend të largohet nga Gjilani, edhe pse u shkarkua nga posti i trajnerit. Sipas gjilanasit, vendimin për ta larguar nga kjo skuadër e kanë marrë vetëm dy individë e jo shumica e anëtarëve të bordit. Megjithëkëtë, Sallah Sherifi ka nisur punën te klubi vjollcë.

Përveç krizës së rezultateve, skuadrën e Gjilanit e ka kapluar edhe një telashe tjetër brenda klubit. Kjo ka ardhur pas një rokade të papritur në shtabin teknik të ekipit.

Muharrem Sahiti është shkarkuar nga posti i trajnerit nga ana e Këshillit Organizativ të këtij klubi, i cili ishte formuar kohë më parë, pas dorëheqjes së kryetarit të klubit Murat Hoxha. Këtë e ka konfirmuar të martën anëtari i këtij këshilli Shukri Sylejmani, i cili mban postin e nënkryetarit të Gjilanit.

“Sahiti i ka bërë disa kërkesa të papërballueshme. Madje, ai ka kërkuar edhe shkarkimin e kryesisë. Më datën 20 janar, ai nuk ka dalë në stërvitje dhe një ditë më vonë, kryesia e klubit ka qenë unanime që Sahiti të shkarkohet nga posti i trajnerit”, deklaroi Sylejmani për Express.

Por, në anën tjetër, Sahiti thotë se vendimi për shkarkimin e tij nuk është legjitim dhe vetën ende e sheh pjesë të klubit vjollcë. Njëherësh ai mohon të ketë bërë kërkesa të atilla, siç thotë Sylejmani.

“Unë ende nuk kam marr asgjë zyrtare. Por, ju konfirmoj se vendimin e kanë marrë vetëm dy anëtarë prej njëmbëdhjetë sa ka kryesia. Ata janë Shukri Sylejmani e Blerand Sermaxhaj. Shukri Sylejmani as nuk më ka emëruar trajner e as nuk mund të më shkarkojë. Mund të më shkarkojë vetëm bordi i klubit, por assesi vetëm një apo dy individë”, deklaroi Sahiti për Express.

“Unë kam pas kërkuar që stërvitjet t’i nisim më 10 janar. Po ashtu nuk kam munguar në stërvitje, por kanë munguar lojtarët. Nuk kam kërkuar shkarkimin e kryesisë, por Shukri Sylejmani po mundohet ta shfrytëzojë rastin ta marrë drejtimin e klubit, pas dorëheqjes së kryetarit Murat Hoxha”, shtoi ai.

Ai nuk u ndal me kaq. Sahiti nuk e çan fort kokën nëse mbetet jashtë Gjilanit, por atë e brengos fakti se ky klub mund të mbetet në dorë të Sylejmanit.

“Gëzohem nëse dëgjoj lajme të mira për Gjilanin. Por, derisa klubi kontrollohet nga Sylejmani, është e vështirë të ndodhë diçka e mirë aty. Vetëm një kuvend i jashtëzakonshëm mund ta shpëtojë Gjilanin”, tha Sahiti.

Megjithëkëtë, kryesia e klubit trajner të ri e ka emëruar Sallah Sherifin, i cili të martën e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me ekipin kuq e bardh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›