E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiorentina e transferoi Amaurin

Fiorentina ka njoftuar se e ka transferuar sulmuesin e Juventusit, Amauri. 31 vjeçari, i cili kishte mbetur jashtë ekipit Bianconeri nga fillimi i këtij sezoni, ka qenë objektiv i Romës.

Mirëpo, drejtori sportivi Violas, Pantaleo Corvino ishte më i shkathtë dhe ia doli t'i sigurojë shërbimet e sulmuesit brazilian, i cili ka marrë nënshtetësi italiane. "Fiorentina njofton se e ka transferuar si huazim nga Juventusi sulmuesin Amauri Carvalho de Oliveira", njofton klubi italian.

Ekipi nga Firenze ishte në kërkim të një sulmuesi, pasi e shiti në Genoa, Alberto Gilardinon, gjatë këtij muaji. Amauri e zgjodhi fanellën me numrin 11. "Ky numër më ka ndjekur gjatë tërë karrierës. Jam këtu për të shënuar shumë gola dhe për të kontribuuar. Fiorentina demonstroi interesim serioz për mua, kështu që vendosa të vi këtu, ku do ta kem mundësinë të luaj në vazhdimësi. Unë nuk kam hequr ende dorë nga Kombëtarja", deklaroi Amauri.

Sezonin e kaluar, përfaqësuesi italian ishte huazuar në Parma, ku shfaqi paraqitje briliante. Ai u kthye më pas në Juventus, por trajneri Antonio Conte nuk ia dha kurrë rastin. Ish futbollisti i Palermos ka shënuar 17 gola nga 71 ndeshje me 'Zonjën e Vjetër', që prej transferimit të tij në vitin 2008 nga klubi sicilian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›