Hallakamë për racizëm

Udhëheqësia e presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter është vënë në dyshim pas komenteve të tij se fyerjet raciste mes futbollistëve duhet të përfundojnë me shtrëngim duarsh. Blatter e bëri këtë deklaratë në dy intervista në televizione të ndryshme, të mërkurën pasdite, dhe zgjoi reagim të ashpër nga mbarë bota e futbollit.
Edhe pse 75 vjeçari më vonë tha se ishte keqkuptuar, komentet e tij sjellin një tjetër kaptinë kontroverse të tij si kryetar i FIFA-s. Blatter qëndron në krye të Federatës botërore të futbollit për 13 vjet, por është quajtur “larg realitetit” nga grupi kundër racizmit, Kick it Out.
Ish kapiteni i Anglisë, Rio Ferdinand po ashtu reagoi duke i përshkruar komentet si të “habitshme”, ndërsa kryetari i asociacionit të futbollistëve profesionist, Gordon Taylor bëri thirrje që Blatter të ofrojë dorëheqje.
I pyetur nëse racizmi është problem në fushë, Blatter tha për CNN World Sport: “Do ta mohoja. Nuk ka racizëm, është ndoshta një futbollist në drejtim të një tjetri, ai thotë diçka ose bën një gjest që nuk është i drejtë. Jemi në lojë, në fund të saj ne i shtrëngojmë duart, dhe kjo mund të ndodh, sepse ne kemi punuar shumë kundër racizmit dhe diskriminimit”. Ndërsa, për Al Jazeera ai tha: “Gjatë një ndeshjeje ju mund të thoni diçka ndaj dikujt që nuk duket njësoj si ju, por në fund të takimit ajo harrohet”.
Kick it Out u ankua për komentet e Blatterit dhe pranoi se brengoset për mungesën e lidershipit nga zvicerani. “Këto komente janë brengosëse dhe larg realitetit. Shtrëngimi i duarve për të kompensuar një fyerje raciste nuk është i drejtë dhe shkel punën e fushatave si Kick it Out, që ka luftuar për mbrojtjen e barazisë dhe largimin e diskriminimit dhe sjelljeve të papranueshme në futboll, për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit.
Komentet si këto nuk e ndihmojnë largimin e racizmit nga futbolli dhe krijimin e një zone të lirë nga diskriminimi”, thuhej në komunikatën e Kick it Out. Ndërsa, mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand për ta shprehur reagimin e tij shfrytëzoi rrjetin social Twitter, ku kontaktoi me faqen e Blatterit dhe shkroi:@ Sepp Blatter, komentet tua për racizëm janë aq të ulëta, sa që janë pothuajse qesharake. Nëse tifozët brohorasin thirrje raciste, por ta shtrëngojnë dorën, a është kjo në rregull?”. Ai vazhdoi: “Më thoni se i kam lexuar gabimisht komentet e Sepp Blatterit për racizmin në futboll, nëse jo, jam i habitur. Ndihem i marrë që mendoja se futbolli ishte duke marrë një rol udhëheqës kundër futbollit, duket se vetëm ishte heshtur për një kohë”.
Komentet e Blatterit erdhën në ditën kur Federata Angleze akuzoi sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez për fyerje racore ndaj mbrojtësit të Manchester Unitedit, Patrice Evra. Një hetim për racizëm është duke vazhduar edhe kundër kapitenit të Anglisë, John Terry, akuza të cilat ai i mohon fuqishëm, e që kundërshtojnë edhe më tepër komentet e Blatterit.
Ndërsa, kryetari i asociacionit të futbollistëve profesionistë, Gordon Taylor ka thënë se Blatter duhet të largohet si president i FIFA-s pas komenteve të tij për racizëm. “Kur shikoni korrupsionin që kishin në FIFA, komentet që bëri që homoseksualët të mos shkojnë në Katar, e tani edhe për racizëm, mendoj se ka ardhur koha të largohet”, tha Taylor për BBC Radio 4.