Propozon ndryshime

Klubet më të mëdha evropiane kërkojnë që FIFA dhe UEFA t’i mbulojnë pagat e futbollistëve gjatë garave ndërkombëtare, sipas presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell. Ai kërkon që ligat kryesore evropiane të reduktohen në 16 ekipe dhe propozon zgjerimin e Ligës së Kampionëve.
Rosell ka paralajmëruan UEFA-n se klubet kryesore mund të ikin nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Në komentet e bëra gjatë një konference në Doha, ai tha se klubet kanë hapur diskutimet me dy organet përkatëse rreth pagesës së futbollistëve gjatë Kampionatit Botëror dhe atij Evropian.
“Kjo mund të ndodh në të ardhmen e afërt sepse ne mendojmë se është e padrejtë t’i mbulojmë pagat e ata t’i përdorin futbollistët tanë dhe të marrin të hyra nga aktivizimi i tyre. Kjo është diçka që duhet të trajtohet me seriozitet të madh”, tha Rosell.
Kreu i gjigantit katalan beson se 20 skuadra në Premierligën angleze, së bashku me po aq në La Ligan spanjolle dhe Serie A të Italisë, janë shumë.
Skuadrat e Premierligës në të kaluarën i kanë rezistuar thirrjeve për zvogëlimin e numrit por, Rosell beson se joshja nga një Ligë e Kampionëve e zgjeruar, mund t’i bind klubet angleze.
“Objektivi i reduktimit të numrit nga 20 në 16 është që t’u japin më tepër hapësirë futbollistëve tanë. Pas caktimit të datave, ato nuk do të jenë për Federatat kombëtare. Janë për klube të organizojnë ndeshje miqësore ose të shtojnë garat evropiane”, u shpreh ai.
Marrëveshja mes UEFA-s me Asociacionin e Klubeve Evropiane, organizatë që përfaqëson mbi 200 prej klubeve më të mëdha të kontinentit, skadon më 2014. Rosell kërcënoi se klubet mund të vendosin të shkojnë të vetëm, nëse nuk arrijnë marrëveshje të re. “Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë në skenarin më të keq do të largohemi nga UEFA”, përfundoi ai.