E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi shënon golin e pestë në MLS-në amerikane

Gazeta Shqip

Bomberi

Europiani kishte lënë në hije futbollin e luajtur në kampionate të ndryshme që luhen edhe gjatë verës. Por Hamdi Salihi rikthen vëmendjen e shqiptarëve me golin e radhës në Major League Soçer, aktivitetin elitar të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Afro një muaj e gjysmë pas golit të fundit ndaj Torontos në kampionat, pa llogaritur rrjetën në Kupën e Amerikës me Riçmond, sulmuesi shqiptar ka shënuar sërish. Këtë Salihi e ka bërë në ndeshjen që DC Junajtid ka mposhtur Montreal Impakt. Kuqeziu realizoi rrjetën e tretë të takimit, në minutën e 91-të, duke vulosur shifrat përfundimtare 3-0. Në këtë takim, Salihi u aktivizua sërish si zëvendësues, në minutën e 78-të, megjithatë shkodranit i mjaftuan vetëm 12 minuta në fushë për të shënuar. 28-vjeçari ishte iniciator i aksionit të golit të tretë për DC Junajtid dhe arriti ta dërgonte topin në rrjetë, pas pritjes së portierit Bush ndaj tentativës së DeLeon. Ky ishte goli i pestë për Hamdi Salihin në 15 ndeshje të MLS-së ku sulmuesi i Kombëtares shqiptare është aktivizuar. Kuqeziu vazhdon të shënojë, edhe pse hapësirat kanë qenë mjaft të kufizuara, pasi ai ka qenë titullar vetëm në 9 takime, për një total prej 778 minutash. Me këtë fitore DC Junajtid ka rimarrë i vetëm kreun e renditjes.

Hamdi Salihi shënon golin e pestë në MLS-në amerikane burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›