Hamdi Salihi, sulmuesi gjakftohtë: Agresiv në fushë, i qetë në jetë
Golashënuesi
Lojtari i Rapidit të Vjenës zbulon objektivat sezonalë dhe detaje nga jeta personale
Hamdi Salihi do të aktivizohet si titullar në sfidën e parë të vitit 2010 që Rapidi i Vjenës do të luajë në Bundesligën austriake. Sulmuesi shqiptar, i cili është golashënuesi më i mirë i klubit vjenez me 12 gola në këtë sezon, ka detyrën të tërheqë skuadrën, edhe sepse Jelaviç mungon pas një operacioni në qafë. Shkodrani ka folur për fazën përgatitore që skuadra ka zhvilluar në pushimin mes dy fazave të kampionatit duke e etiketuar si “më të vështirën në karrierën time”. “Gjatë përgatitjeve, Salihi nuk ka qenë lojtari më profilik. Të paktën, ai është ndier në këtë mënyrë”, deklaroi trajneri Pakult. Ndërkohë, 26-vjeçari, i cilësuar nga Oto Bariç si “Gerd Myleri shqiptar” ka nënvijëzuar se tekniku i Rapidit gjithmonë kërkon më shumë prej tij. “Kur erdha në Austri te Riedi, trajneri Gludovatz ka qenë si një baba për mua, megjithatë, ai ishte po aq kërkues sa edhe Pakult. Ndryshimi nga trajneri aktual është se Pakult na këshillon gjithmonë për problemet që shfaqim në fushë, pavarësisht se fitojmë. Prej meje ai pretendon të punoj edhe më shumë për skuadrën”. Megjithatë, objektivi kryesor i Salihit te bardhejeshilët është të shënojë gola dhe deri më tani kuqeziu nuk ka zhgënjyer. Sa herë që ndodhet në zonë, ai shndërrohet në tmerrin e mbrojtjeve kundërshtare. “Synimi që i vendos vetes është që të shënoj më shumë gola sesa një vit më parë. Përpara portës shfaqem shumë agresiv, pavarësisht se në jetë jam mjaft i qetë. Madje, e kam thuajse të pamundur që të flas edhe me zë të lartë”, deklaroi sulmuesi i Kombëtares shqiptare.Më tej, Salihi ka folur edhe për jetën në Vjenë: “Më pëlqejnë qytetet e mëdha si Vjena. Ndoshta kjo është arsyeja përse e kisha të vështirë të jetoja në Ried”. Për të mos ndier largësinë nga shtëpia, lojtari kthehet në vendlindje sa herë që i krijohet mundësia, ndërkohë që prindërit e vizitojnë të paktën një herë në muaj. Në fund, sulmuesi ka folur edhe për hetimin e UEFA-s rreth skandalit të basteve, ku Vllaznia figuron mes ekipeve të dyshuara për trukim rezultati, pikërisht për ndeshjet në Europa League kundër Rapidit të Vjenës. “U ndjeva tmerrësisht keq kur e lexova këtë lajm, pasi Vllaznia është skuadra ku jam rritur dhe disa prej lojtarëve që militojnë atje janë shokët e mi. është për të ardhur keq kur dëgjon se sporti me të cilin jeton bëhet pjesë e aferave të tilla”, përfundoi shkodrani.
#