E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgim Mavraj: Do të jem ndaj Irlandës së Veriut

Trajneri Kuzhe gjen më në fund mbrojtësin e qendrës
Mërgim Mavraj vendos t’i thotë “Po” Kombëtares kuqezi. Mbrojtësi kosovar i Bokumit e ka marrë këtë vendim pas disa konsultave me trajnerin Josip Kuzhe dhe është gati të veshë fanellën e Shqipërisë. Trajneri kroat e ka ftuar Mavrajn që t’i bashkohet ekipit menjëherë në ndeshjen miqësore që Shqipëria do të luajë ndaj Irlandës së Veriut më 3 mars në Tiranë. Në një prononcim për gazetën kosovare “Express”, Mavraj ka rrëfyer: “Kam biseduar me Kuzhenë, ai ka shprehur dëshirën që unë të luaj për Kombëtaren dhe unë i kam treguar se jam i gatshëm për këtë. Ai më ka ftuar që të jem i grumbulluar në miqësoren me Irlandën e Veriut”. Mundësia për të veshur fanellën kuqezi që ka lumturuar pa masë ish-mbrojtësin gjermanëve të SV Darmstadt dhe ai nuk e fsheh kënaqësinë që do ta ketë mundësinë ta realizojë ëndrrën e tij të madhe. “E ndiej veten krenar që do të luaj për Shqipërinë dhe po ashtu po më plotësohet një ëndërr e imja. Shpresoj se mundem ta ndihmoj Kombëtaren për të hedhur edhe shumë hapa përpara”, deklaroi 23-vjeçari. Mbrojtësi 190 centimetra i gjatë, e njeh kombëtaren shqiptare, të cilën nënvizon se e ka ndjekur me dëshirë të madhe që kur ishte në moshë të vogël. “Që fëmijë kam ndjekur çdo ndeshje të Kombëtares dhe i kam hyrë futbollit duke pasur si idhull Altin Rrakllin. Edhe për faktin se luaj futboll si profesionist, e ndjek sërish Shqipërinë, ndërsa lojtarët nuk i njoh mirë, pasi pak prej tyre luajnë në Bundesligë”, u shpreh Mavraj. Mavraj është pajisur me pasaportë shqiptare që në vitin 2007, në kohën e trajnerit kroat, Oto Bariç. Ndërkohë që ai priste një ftesë për në Kombëtaren A, mbrojtësit kosovar i mbërriti një tjetër ftesë, ajo për të qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, gjë që nuk i pëlqeu shumë. Sipas tij, kjo u bë shkak për të refuzuar të veshë fanellën kuqezi, duke zgjedhur përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë, me të cilën debutoi në vitin 2007, në ndeshjen miqësore kundër shpresave të Italisë.
Edhe pse do ta bëjë sefte në ndeshjen me Irlandën e Veriut, tashmë mbrojtësi i skuadrës gjermane, Bokum, ka filluar ta konsiderojë veten pjesë të Kombëtares kuqezi dhe madje merr përsipër të flasë edhe për grupin eliminator të Euro 2012 të Shqipërisë, ku kundërshtarë do të jenë Franca, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu. “është një grup shumë, shumë i vështirë, por detyra jonë është që të mbledhim sa më shumë pikë. Për ndeshjet kundër ekipeve të mëdha nuk duhet të dorëzohemi, sepse në vendin tonë është vështirë të na mposhtin pa marrë parasysh se kush është”, nënvizoi ai. Me Mavrajn, trajneri Kuzhe do ta zgjidhë problemin e mbrojtjes në përfaqësuese, repart i cili nuk ka qenë në nivel të duhur gjatë viteve të fundit. Bashkë me mbrojtësin e Bokumit, numri i kosovarëve në Kombëtare do të shtohet në shtatë pas. Aktualisht, fanellën e ekipit kuqezi e bartin; Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›