E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamilton viziton MekLaren

Nga Altin Latifi
Ljuis Hamilton ka vizituar fabrikën e MekLaren Mercedes vetëm 4 ditë pasi u shpall kampioni më i ri i botës. Piloti britanik falënderoi gjithë stafin, ndërsa kujtoi edhe njëherë emocionet e dy xhirove të fundit në Brazil. 

LONDER- Vetëm pak ditë pasi u shpall kampion bote në Brazil, Ljuis Hamilton është rikthyer në qendrën e skuderisë MekLaren për të falënderuar mekanikët dhe njerëzit që punuan për ndërtimin e makinës së tij. Fabrika e MekLaren Mercedes ndodhet 32 kilometra në jug të Londrës dhe këtë vit ajo ka qenë më e suksesshmja, duke prodhuar një makinë ëndrrash. Në të janë të punësuar mbi 1 mijë punonjës, të cilët vetëm në dy sezonet e fundit e ngjitën Hamilton 22 herë në podium, në 35 gara. “Ne humbasim së bashku, fitojmë së bashku dhe këtë javë u shpallëm kampionët e botës së bashku”, tha Hamilton, i shoqëruar nga duartrokitjet. Britaniku u bë kampioni më i ri i botës, duke zënë vendin e pestë në garën e Brazilit ditën e dielë. I pyetur nëse nuk do të dështonte edhe këtë vit, Hamilton deklaroi: “Kam bërë gjëra më të bukura se ato dy xhirot e fundit, kështu që nuk dua të mendoj më për to. Ato dy xhiro ishin vrasëse për këdo, por mendoj se gjithë vitin kisha bërë gara të bukura për spektatorët. Isha thjeshtë nervoz, zemra sa s’po më dilte nga vendi dhe këtë mund ta shihnit në fund, kur nuk dija më se çfarë të bëja”. Hamilton është piloti i parë me ngjyrë në Formula 1 dhe ai u pyet nëse do të uronte presidentin e sapozgjedhur të Amerikës Barak Obama. “Ndoshta do t’i them Mirëmëngjes Zoti President. Në të vërtetë jam shumë i lumtur, kisha respekt për të dy kandidatët, por jam krenar që fitoi Obama. Mendoj se është një gjë e mirë për botën”, tha piloti 23 vjeçar. Pas kësaj vizite, Hamilton tha se të gjithë e meritojnë të bëjnë ca pushime. “Shpresoj që Ron dhe Martin të më lejojnë të kaloj ca kohë me familjen dhe të dashurën time”, tha ai duke u kthyer nga bosi Ron Denis dhe shefi ekzekutiv Martin Uitmarsh.
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›