E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamren kritikon Astritin

Astrit Ajdareviç ka marrë kritika nga selektori i Suedisë, Erik Hamren, për deklaratat e dhëna një ditë më parë. Futbollisti kosovar thoshte se nuk e ndien besimin e trajnerit suedez dhe se po mendon për alternativa. Hamren thotë se 21 vjeçari duhet të punojë fort këtë vit për të shpresuar për ftesë në Kombëtare vitin që vjen.

Selektori i Suedisë, Erik Hamren, e ka kritikuar futbollistin kosovar Astrit Ajdareviç, për deklaratat e këtij të fundit, të dhëna një ditë më parë. Mesfushori i Norrkopingut kërcënonte se mund të hiqte dorë nga përfaqësuesja e Suedisë, pasi që konsideron se është lënë anash.

Ndërkohë, ai shtoi se do të kërkojë alternativa tek Kosova ose Shqipëria, pasi që i ka humbur durimi. Megjithatë, Hamren nuk ia ka mbyllur dyert përgjithmonë 21 vjeçarit.

“Që një lojtar mund të zhgënjehet, këtë fakt mund ta kuptoj plotësisht. Mirëpo, mënyra se si e manifeston një lojtar këtë mllef duhet të përdoret në mënyra tjera. Unë nuk kam biseduar direkt me Astritin, por kapiteni i U21, Hakan Ericson e ka pasur një bisedë me të. Ajdareviç e ka marrë arsyen pse nuk është këtu. Shpresoj që ai ta tregojë veten gjatë këtij viti për të qenë me ne vitin tjetër”, deklaroi Hamren për mediet suedeze.

Ajdareviç thoshte se nuk e ndien besimin e Hamrenit, i cili ka preferuar talentë tjerë për turneun e Katarit. Aktualisht përfaqësuesja e Suedisë gjendet në Doha. “Çdo trajner dhe menaxher i ka lojtarët që i pëlqejnë. Shihet se nuk jam në planet e trajnerit, kështu që mua më duhet të kërkoj alternativa. Do të doja të isha në Katar me përfaqësuesen më shumë se çdo lojtar tjetër”, deklaroi të dielën Ajdareviç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›