E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesimist për Hannoverin

Ahmed Januzi ka pak shpresa se mund të transferohet te skuadra e Hannoverit, gjatë afatit kalimtar të janarit. Pavarësisht interesimit të gjermanëve, Vorskla nuk dëshiron ta shesë 23-vjeçarin. Megjithëkëtë, reprezentuesi i Shqipërisë thotë se do ta japë maksimumin te klubi nga Poltava, derisa synon të shënojë sa më shumë gola.

Ahmed Januzi si duket duhet të presë ende për ta bërë një hap të madh në karrierë. Edhe pse ka ofertë konkrete nga klubi i Bundesligës, Hannover ’96, sulmuesi shqiptar nuk pritet të largohet nga Vorskla Poltava të paktën gjatë afatit kalimtar të janarit.

Drejtuesit e klubit nga Bundesliga i kanë bërë ofertë zyrtare ekipit ukrainas, Vorskla, për t’i siguruar shërbimet e 23-vjeçarit gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Por Januzi tregon se deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Nuk ka asgjë konkrete. S’ka kurrfarë marrëveshjeje as mes klubeve, por as mes meje me Hannoverin, sepse unë kam kontratë me Vorsklën. Tashmë i kemi nisur përgatitjet për sezonin e radhës dhe jam duke menduar vetëm se si të përgatitem sa më mirë për sezonin që po vjen”, ka thënë Januzi për Express.

Klubi nga elita e futbollit ukrainas nuk po dëshiron ta lëshojë ish-sulmuesin e Kosovës së Vushtrrisë, i cili nga trajneri Nicola Pavlov llogaritet si njëri prej futbollistëve kryesorë në repartin sulmues.

“Drejtuesit e klubit, e posaçërisht trajneri i skuadrës ka kërkuar që të paktën deri në verën e ardhshme të qëndrojë te Vorskla. Kështu që, vetëm me biseda intensive, me ndonjë presion më të madh të Hannoverit, ndoshta do të më lironte Vorskla”, ka theksuar Januzi.

Por Januzit nuk do t’i pengonte të vazhdonte qëndrimin në klubin nga qyteti i Poltavës – aty edhe ku ka bërë emër si futbollist - me të cilin ka kontratë deri në vitin 2015.

“Unë gjithmonë jam ndier mirë në Vorskla. Po përgatitem për sezonin e ri, gjatë të cilit dua të angazhohem dhe të punoj shumë. Qëllimi im është të vazhdoj me paraqitje sa më të mira dhe të shënoj sa më shumë gola, dhe në këtë mënyrë ta ndihmoj sa më shumë edhe Kombëtaren e Shqipërisë”, përfundoi sulmuesi shtatlartë.

Reprezentuesi i Shqipërisë në sytë e klubit nga Bundesliga kishte rënë pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që kishte bërë gjatë ndeshjeve të zhvilluara në fazën e grupeve të Europa League.

Viti 2011 për Januzin ishte i shkëlqyeshëm. Përveç paraqitjeve të mira që pati në kampionatin ukrainas dhe Europa League ( ku realizoi 9 gola), sulmuesi kosovar debutoi edhe me Kombëtare A të Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›