Han hidhet vetë Në sulm: Kush kujtoni se jemi ne?… Brazili?!Trajneri i përfaqëuseses justifkon rezultatet e fundit

ALTIN SHORDI (Kopenhagen) - Në një cep të hotelit “Radison Sas”, pesë persona ngrihen shumë rallë nga e njëjta tavolinë. Ari Han, trajneri i kombëtares shqiptare e drejton këtë tavolinë duke qenë pika e referimit. Rreth tij janë dy ndihmësit, masazhatori dhe i biri që për nga profesioni bën menaxherin e futbollit. Dje në drekë, Han e prishi këtë statusquo pas mbërritjes në hotel të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me të cilin pati një takim të gjatë. Cila ishte tema e bisedës, pyetja e parë për holandezin. Përgjigja ishte, “folëm për gjithçka, për skuadrën, për kundërshtarin, për të ardhmen…” Sepse Ari Han beson se ka një të ardhme kuqezi.
- Mister, si po ndiheni këtu në Danimarkë?
- Mirë, jo keq. Unë e pëlqej këtë vend edhe pse nuk kam lëvizur shumë nga hoteli i skuadrës.
- Duhet t’ju kujtojë vendin tuaj, Hollandën, e njëjta klimë…
- E vërtetë. Nuk është keq.
- Po moralisht jeni po kaq mirë?
- Nuk jam keq. Futbolli është i përbërë nga ulje dhe ngritje. Mund të ndodhë gjithçka dhe pastaj gjërat mund të ndryshojnë në një minutë të vetme. Prandaj nuk kam pse shqetësohem. Humbja është e rëndë për të gjithë, por është gjithashtu e rëndësishme të dish të marësh veten dhe të mos e vuash me të vërtetë edhe në ndeshjen pasardhëse goditjen që more.
- Vërtet, si i shpjegoni gjithë këto ulje-ngritje. Sepse edicioni u fillua shumë mirë me dy barazime kundër “big”-ëve të grupit dhe me një fitore të rëndësishme kundër ekipeve më të mira të grupit?
- Ka shumë elementë për të shpjeguar këtë. Janë fati, mungesa e përqëndrimit para portës, janë faktorë të shumtë, futbolli i ka.
- Nëse e ktheni kokën prapa dhe rishihni ndeshjen me Hungarinë, çfarë do të mendonit? A mendoni se në ndonjë element të ndeshjes ju personalisht do të kishit bërë më mirë?
- Sigurisht që askush nuk është perfekt. Bëra ato që mendoj se ishin më të mirat për skuadrën, për fitimin e ndeshjes. - Nganjëherë ecën, nganjëherë tjetër, jo. Por absolutisht them që kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Me luftë me dëshirë dhe me shumë raste për të shënuar. Por diferencën e bën një gol. Në fund Hungaria e shënoi atë, kurse Shqipëria jo. Por nuk mendoj se në fushë kishte diferenca.
- Çfarë menduat për të gjithë ata tifozë që kishin ardhur në këtë ndeshje dhe ikën të zhgënjyer?
- E vërtetë, ishin në një numër të madh, diçka e jashtëzakonshme dhe para ndeshjes isha i mrekulluar për këtë. Por nuk mendoj se ata u zhgënjyen nga loja e skuadrës. E ndjej që tifozët vetëm në momentin e vërshëllimës së fundit të gjyqtarit e kuptuam se skuadra kishte humbur. Sepse deri në atë moment panë një ndeshje të vërtetë prej saj. Është sigurisht një ndjesi zhgënjimi, thua “dreqin, humbëm”, por nuk je i zemëruar. Nuk ishte një humbje e tmerrshme.
- Për renditjen tonë, po…
- Një gazetar holandez ishte në konferencën e shtypit pas ndeshjes dhe pasi dëgjoi pyetjet e gazetarëve, më tha “çfarë kujtojnë se janë këta, Brazili?”. Kjo është e vërtetë, duhet të kuptojmë që jemi vetëm Shqipëria dhe disa gjëra për faktin e keq nuk mund të bëhen përnjëherësh. Duhet të ecësh me ngadalë, të krijosh mundësitë që ti të jesh vërtetë i zemëruar nëse një skuadër si Hungaria të mund. Në fund të fundit jemi mbi 30 vende nën Hungarinë në renditjen e FIFA’s.
Sinqerisht Mister, i besoni asaj renditje? Pra që Hungaria ka këtë nivel?
- Shikoni emrat. Ka lojtarë që luajnë te Herta, pra lideri i kampionatit gjerman, te Zeniti, PSV, Anderlehti. Gjë që ti për momentin nuk i ke ende.
- Le të flasim pak për emrat. Në Shqipëri ekziston bindja se Cana, i pranuar si lojtari më i mirë i ekipit nuk ka nivelin që demonstron te Olimpik Marsejë. Nuk është një lider si atje?
- Unë nuk mendoj se është një lider te Marseja. Është një lojtar shumë i mirë i Marsejës, është kapiteni i saj por nuk mendoj se është lideri i ekipit. Atje ai është një futbollist i rëndësishëm i rrethuar nga shumë futbollistë të tjerë të mirë gjë që nuk ndodh te Shqipëria. Dhe kjo bën diferencën. Nuk i besoj mitit se Cana luan më dobët te Shqipëria se sa te Marseja.
- Do ta shohim përherë në qendër të mbrojtjes si kundër Hungarisë?
- Është një koncept të cilin e kam deklaruar edhe më parë. Cana dhe Lala luajnë në të njëjtin rol në klubet e tyre. Cana nuk është një playmaker është një shkatërrues. Duke qenë se luan mirë në mbrojtje dhe ka bërë disa ndeshje të shkëlqyera si kundër Portugalisë në këtë rol. Mendoj se do të jetë i vlefshëm ende aty. Dhe po ua them, ai nuk ka luajtur kurrë mirë në mesfushën e Shqipërisë.
- Kapllani e Bogdani. Pavarësisht se nuk kanë luatur me ekipet e tyre, me Shqipërinë kanë patur sukses. Në eleminatoret e kaluara Kapllani ishte golashënuesi më i mirë. A i keni parë këto statistika dhe a kanë vlerë për ju?
- E di që janë futbollistë të mirë. Që kanë dhënë shumë për kombëtaren. Në një skuadër gjykohet në bazë të momentit jo të historisë. E vërtetë që nuk kemi shënuar në ndeshjet e fundit por të tilla kanë qenë ndeshjet. Kapllani ka qenë kryegolashënues i ekipit kombëtar, mund të ketë shënuar pesë herë me Shqipërinë në këto eleminatore, por si kanë përfunduar ndeshjet? Rezultatet kanë qenë të ngjashme. Nëse luan i gjithi përpara dikush do të shënojë por rrezikon gjithashtu të pësosh pasi ekipi hapet shumë. Është e njëjta histori.
- Mister keni frikë nga këto eleminatore? Pas Brigelit dhe Bariçit mund të jeni trajneri i parë që nuk arrini shifrën 10 në pikët e grumbulluara?
- Por a e keni parë se çfarë grupi kemi ne? Shumë i vështirë, jashtëzakonisht. E pranoj që nuk kemi marrë maksimumin në dy ndeshje të rëndësishme kundër Maltës dhe Hungarisë. Eleminatoret e kaluara u arritën 6 pikë vetëm kundër Luksemburgut. Por çmenduria e vërtetë është se Hungaria na mori gjashtë pikë. Ta shikosh kështu, ftohtë thua që është e pamundur.
- Të flasim për Danimarkën. Çfarë ndeshje prisni sot?
- Të vështirë. Kjo është e sigurtë. Danimarka ka një skuadër solide, një ekip të bashkuar një skuadër fizikisht të shkëlqyer, që e njeh mirë lojën e vet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre.
- Në ndeshjen e fundit ndaj tyre në Danimarkë kemi pësuar dy gola në 20 minutat e para dhe vendasit humbën edhe një penallti. A e keni frikë?
- Frikë jo, nuk ekziston asnjëherë për mua në futboll. Respekt po, dhe shumë kujdes. Sidomos në fillim të ndeshjes ata e nisin lojën shumë mirë zakonisht.
- A keni komunikuar me Morten Olsenin këto ditë?
- Jo, por do ta bëj kur të vijë ndeshja. E kam mik, kemi luajtur bashkë të Anderlehti dhe gjithashtu e kam drejtuar si trajner në të njëjtin klub. Ka qenë një emër i madh si futbollist i Danimarkës.
- Por si trajner, nuk duket se po bën shumë mirë. Danimarka ka disa edicione që nuk shkon në një botëror ose europian...
- Nuk e kam ndjekur futbollin danez me aq rregullsi sa të jap një mendim të përpiktë për këtë çështje. Por nuk më duken të zhgënjyer me Olsenin.
- Kush është pika e fortë e Danimarkës?
- Kanë një portier të shkëlqyer, kanë Daniel Agerin, qendrën e mesfushës të përbërë nga Poulsen dhe Jensen si dhe Romendahlin që është shumë i shpejtë. Loja e skuadrës është e përqëndruar te këta lojtarë, të cilët luajnë prej shumë vitesh së bashku. Të gjithë mund të ndryshojnë te Danimarka, por këta pesë futbollistë jo. Për këtë arsye ata janë shumë solidë, e njohin mirë lojën e njëri tjetrit dhe kjo i bën një skuadër të rrezikshme për këdo.
- Atëherë, ju do të bëni ndryshime në skuadër për t’i përballuar?
- Ndryshime patjetër, mungon Cana.
- Jo vetëm mister, por edhe në rreshtim. Në stërvitjen e të hënës ju vendosët Bulkun në qendër të mesfushës bashkë me Lalën. Pra do të luani me katër mesfushorë në vijë të drejtë?
- Shiko, futbolli nuk mendoj se është një çështje skemash, sepse skemat nuk mund të jenë kurrë ekzakte. Psh, kur një mbrojtës krahu del përpara, automatikisht mbrojtja kthehet me tre dhe kështu edhe me situata të tjera në fushë, futbolli për mua është një skuadër prej të paktën 16 lojtarëve të mirë, prej të cilëve 11 të jenë në fushë dhe pesë të tjerë të barazvlefshëm të jenë gati në të gjithë kuptimin e fjalës, nëse diçka nuk shkon mirë në fushë.
- Por do të jeni me siguri më mbrojtës sesa kundër Hungarisë?
- Do të mundohemi që të mos pësojmë shumë lojën e Danimarkës. Shpresojmë që të bëjmë që të respektohemi edhe ne.
- Mister, edhe vetë lojtarët janë ankuar për topat e gjatë të aplikuar kundër Hungarisë. Si e mendoni?
- Është e vërtetë që duhet të luajmë më shumë me topa në tokë. Por, nganjëherë kur je në diavantazh dhe kur nuk ke hapësirë bën gjithçka për të shënuar.
- Mister, më parë e keni shpallur 24 orë para ndeshjes formacionin. Tani mund ta thoni?
- Jo sepse lojtarët ende nuk e kanë marrë atë.
- Por këtu jemi në Danimarkë. “Sport Ekspres” botohet në Shqipëri…
- E marrin që çke me të. Kanë internet dhe telefona. Dua ta dëgjojnë nga unë formacionin.
- Lika do të luajë, dje ishte te rezervat…
- Mendoj se do të luajë.
- Në fund çfarë rezultati prisni? Një tjetër barazim do ishte perfekt…
- Jo perfekt, perfekte është fitorja. Por, shumë i mirë po.
E Merkure, 01 Prill 2009