E Diel, 1 Nëntor 2026

Fortuzi tregon dy ndeshjet e 1993-it kunder DanimarkesNë atë kohë ka qenë vetëm 18 vjeç. Por, Indrit Fortuzi ishte pjesë e formacionit të Kombëtares shqiptare. “Zogu” kujton dy ndeshjet kundër Danimarkës që kemi zhvilluar në 1993 për eliminator

Në atë kohë ka qenë vetëm 18 vjeç. Por, Indrit Fortuzi ishte pjesë e formacionit të Kombëtares shqiptare. “Zogu” kujton dy ndeshjet kundër Danimarkës që kemi zhvilluar në 1993 për eliminatoret e Kupës së Botës 1994. 4-0 u mundëm në Kopenhagen dhe 1-0 në Tiranë. “Atje është luajtur vetëm në portën tonë. Kemi luajtur me fanellën e tretë të Danimarkës që ishte blu pasi drejtuesit e FSHF-së në atë kohë u hoqën sikur kishin harruar fanellat kuqezi në Shqipëri. Dukej sikur ishin dy Danimarka në fushë”. Në takimin e kthimit luajmë më mirë dhe Fortuzit nuk i japin penallti. Humbet edhe një rast të pastër në pjesën e parë kur ndeshja ishte 0-0. “Ishte një 11-metërsh i pastër. Përsa i përket rastit që mu krijua, mund të them se kisha frikë kur dilja përballë Shmajkëllit. Më dukej sikur e zinte të gjithë portën”.

-Keni qenë vetëm 18 vjeç dhe keni luajtur në të dyja ndeshjet e 1993 ndaj Danimarkës. Çfarë kujtoni nga humbja 4-0 në Kopenhagen?

-Mbaj mend që ka qenë një ndeshje shumë e tmerrshme për ne, të cilën nuk kam për ta harruar asnjëherë. Është luajtur vetëm me një portë. Nuk kemi arritur të dalim për asnjë moment nga gjysmëfusha jonë. Vetëm Sulejman Demollari përpiqej që ta mbante sa më shumë topin në mesfushë që ti jepte frymëmarrje skuadrës, por kjo nuk mjaftonte. Për 90 minuta kemi qenë në shënjestër të tyre që vetëm sulmonin dhe godisnin në portë. Ata shënuan katër gola që në pjesën e parë duke e mbyllur ndeshjen shpejt e shpejt. Nuk kishim asnjë mundësi përballë një ekipi të tillë dhe në një atmosferë të ndezur. Për herë të parë kemi parë një stadium në formën e një kutie shkrepëse. Nuk kishte fare pistë ashtu siç ishim mësuar ne. Ishte vetëm fusha e futbollit. Na impresionoi shumë. Stadiumi ishte i mbushur në maksimum dhe mbështesnin në çdo moment skuadrën e tyre. Ata në atë kohë ishin Kampionë Europe dhe kishin një skuadër shumë të mirë. Mbaj mend vëllezërit Laudrup që ishin spektakolar dhe të frikshëm. Gjithashtu, në portë kishin një gardian si Petër Shmajkëll plus lojtarët e tjerë. Më ka rënë rasti që në Kopenhagen të shkoj sërish, por këtë radhë me skuadrën e Tiranës ku jemi ndeshur për Kupat e Europës me Brondbin.

-Keni luajtur me uniforma blu me mbishkrimin “Humer” ashtu si Danimarka. Cila është e vërteta e kësaj çështjeje?

-Pikërisht, problemet tona si një vend i vogël dhe i varfër ishin që te baza materiale. Nuk di të them me saktësi, por ka shumë mundësi që drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit në atë kohë, mesa duket kërkonin të përfitonin bazë materiale falas dhe u hoqën sikur kishin harruar fanellat në Shqipëri. Danezët na kanë dhënë uniformën e tyre të tretë që ishte blu ku shkruhej “Humer”, njësoj si te fanellat e tyre. Thjesht u janë qepur stemat e Shqipërisë dhe ne kemi luajtur me uniformën e tyre të tretë. Dukej sikur luanin dy Danimarka në fushë. Tani që i kujtoj, më duken gjëra me të vërtetë shumë të çuditshme, por ne kishim vetëm tre vjet demokraci dhe vendi ishte shumë i varfër dhe mendoj se çdokush kërkonte të përfitonte.

-Si i’u pritën dhe çfarë atmosfere ishte përpara ndeshjes që zhvilluat në Danimarkë?

-Sigurisht që pritja ishte shumë e mirë me të gjitha komoditet e mundshme. Në atë kohë na dukej një luks i paparë duke qenë se në vendin tonë nuk kishim parë hotele të tilla apo gjëra të tjera. Mediat vendase shkruanin se Danimarka do ti shënojë një thes me gola Shqipërisë duke na konsideruar si një skuadër shumë e vogël, e cila nuk kishte asnjë shans në këtë ndeshje. Tani ajo pritje më duket mëse normale, por për kohën dukej me të vërtet spektakolare. Kishim jetur 50 vjet të izoluar dhe kjo nuk ishte pak.

-Në ndeshjen këtu në Tiranë jeni mundur vetëm 1-0 dhe keni luajtur mirë?

-Është e vërtet që ndryshe nga takimi i parë në Kopenhagen, në ndeshjen që kemi zhvilluar në “Qemal Stafa”, jemi paraqitur shumë mirë. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0 dhe gjatë kësaj pjese më është mohuar një 11-metërsh që mendoj se duhej të jepej. Mbrojtësi mik e kthen topin mbrapa te portieri dhe unë e arrij duke e shtyrë topin me majë dhe pata një kontakt me Shmajkëllin, por gjyqtari nuk akordoi penallti. Mund të them se ishte një lloj vjedhje edhe nga ana ime, por i kishte parametrat për 11-metërsh. Gjithashtu, kam humbur edhe një rast të pastër në pjesën e parë. Më dukej sikur Shmajkëll zinte të gjithë hapësirën e portës dhe kjo më bënte që të frikësohesha përballë tij. Unë isha vetëm 18 vjeç, ndërsa ai kampion Europe. Më pas pësuam një gol në 45-minutëshin e dytë dhe u mundëm. Por, kemi zhvilluar një takim të mirë.

-Keni qenë gjimnazist në atë kohë. Si ndiheshit kur shkonit në shkollë?

-Ishte një periudhë që të pakët ishin ata që u krijohej mundësia për të udhëtuar jashtë shtetit. Unë isha një prej tyre dhe sigurisht që të gjithë ishin kuriozë për të mësuar dhe për të dëgjuar histori se çfarë bëhej në botën e jashtme. Futbolli ta krijonte këtë mundësi për të udhëtuar jashtë shtetit.

-Sot sërish përballë Danimarkës. Si e sheh këtë takim Fortuzi?

-Kisha kohë që nuk shkoja në stadium, pasi e ndiqja Kombëtaren nga televizori. Shkova në ndeshjen me Hungarinë dhe mund të them se kam parë një prej lojërave më të dobta të përfaqësueses sonë. Përsa i përket ndeshjes që do të luhet në Kopenhagen, mendoj se do të mundemi pa shumë problem. Shpeshherë kemi treguar se pas një ndeshjeje të dobët, bëjmë diçka në takimin pasardhës siç ndodhi me Portugalinë ku arritëm të marrim një barazim. Por, nuk besoj se do të ndodhë e njëjta gjë këtë radhë.

Burimi: Gazeta "Sport Ekspres"

E Merkure, 01 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›