Han, luftë me shiun e Antalias

Holandezi është i kënaqur me impenjimin e lojtarëve, por jo me kushtet atmosferike të Antalias. Sipas fshf.org, I vetmi "armik" i këtij grumbullimi, ka qenë shiu i cili vazhdon prej dy ditësh në Antalia. Kuqezinjtë kanë zhvilluar të enjten programin me dy seanca stërvitore: paradite 9:30-11:00, me karaketer fizik dhe pasdite (15:30-17:00) me veprime taktike. Sipas stafit të ekipit kombëtar, trajneri Ari Han ka mbetur i kënaqur nga impenjimi i futbollistëve gjatë këtij zbori dhe nga kushtet e krijuara për të parë nga afër lojtarët e ekipit përfaqësues.
Zëvendëspresidenti Bujar Kasmi, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ekipeve Kombëtare, ndodhet prej ditës së sotme në Antalia, për të ndjekur nga afër përgatitijet e lojtarëve. Kasmi, i cili njihet edhe si krahu i djathtë i presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe njëherësh edhe një nga të autorizuarit e Komitetit Ekzekutiv për bisedimet me trajnerët kandidatë (përfshirë edhe Hanin) kontaktoi me trajnerin e skuadrës përfaësuese dhe stafin e tij, për t'u njohur më nga afër me opinionet e tyre dhe problematikën që do të paraqitet. Trajneri Ari Han pritet të diskutojë me zëvendëspresidentin Bujar Kasmi, një plan të detajuar në lidhje me projektet e tij për organizimin e punës me skuadrën kombëtare në muajt e ardhshëm.