E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hand: Qeveria të bashkëpunojë me prokurorinë

Këshilltari politik pranë Komisionit Amerikan të Helsinkit Robert Hand, i bëri thirrje qeverisë në Shqipëri që të bashkëpunojë me prokurorinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Hand theksoi se lufta e fjalëve mes qeverisë dhe prokurorisë ka të bëjë me disa parregullsi teknike apo formulimet e gabuara në urdhrat e ndalimit.
Unë nuk jam jurist shqiptar prandaj nuk mund të them nëse kjo është ose jo e vërtetë. Por në anën tjetër kjo po shoqërohet me akuza, sikur prokurorja, duke e bërë këtë, po merr anën e opozitës dhe po vepron gabim. Mendoj se në fund të fundit prokuroria ka një punë që duhet të bëjë sepse të premten u kryen vepra penale dhe ajo ka detyrën si prokurore të hetojë rreth tyre. Përsa kohë që ajo qëndron në kufijtë e kompetencave të saj, mendoj se qeveria është e detyruar ligjërisht ta respektojë autoritetin e saj dhe të bashkëpunojë edhe pse mund të mos jetë dakord me akuzat që qëndrojnë prapa hetimit” theksoi Hand.
Sipas tij mungesa e bashkëpunimit mes tyre thjesht do të krijonte një sens jo produktiv dhe nuk do të ishte në interes të qeverisë. Ai gjithashtu theksoi se në qoftë se qeveria i shikon si të gabuara këto akuza, mënyra më e mirë për të do të ishte të bashkëpunonte me prokurorinë dhe të jepte argumentin e saj.
Ndërkohë duke iu referuar demonstratën e dhunshme të 21 janarit, Hand deklaroi se ajo mund të shmangej dhe dhuna mund të ishte parandaluar.
“Fakti që ekziston një klimë e tillë ku njerëzit thonë gjëra që nuk janë të shëndetshme dhe produktive, nuk ua heq përgjegjësinë atyre që u angazhuan në këtë dhunë ose që e orkestruan atë si dhe përgjegjësinë për atë që për fat të keq ndodhi në demonstratë në Tiranë” theksoi Hand.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›