Hannoverin në zemër

Altin Lala e kaloi një jetë në Hannover 96. Mesfushori shqiptar i ishte bashkuar këtij ekipi 13 vjet më parë, kur luante në divizionin e dytë gjerman. 36 vjeçari ishte bërë pjesë e rëndësishme e ekipit kuq e zi, ndërsa e kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit për një kohë të gjatë. Ai i ka rrëmbyer edhe zemrat e tifozëve.
Në sezonit e fundit nuk është paraqitur rregullisht me ekipin e parë, por sa herë që Lala e bën një potez të mirë, zhurma e tifozëve rritet dhe as duartrokitjet nuk mungojnë në Hannoveraner WM-Arena. “E kam ende ‘kokën’ në vendin e duhur”, ka thënë për FIFA.com 36 vjeçari, i cili po i shijon këto momente të rralla më shumë se kurrë.
Talenti i Lalës ishte vërejtur saktësisht 20 vjet më parë, kur ai po e përfaqësonte ekipin U-16 të Shqipërisë ndaj ekipit të të rinjve të përfaqësueses gjermane në një ndeshje miqësore.
Nga ajo kohë, shtatshkurtri kuqezi kishte mbetur në Gjermani. Ai kishte nënshkruar me ekipin Borussia Fulda në vitin 1998, duke luajtur me sukses në këtë ekip për t’u transferuar më pas te Hannoveri, ku e kaloi pjesën tjetër të karrierës.
“Hannoveri është zemra e karrierës sime. Këtu kam kaluar momentet më të mira në karrierë dhe jam mjaft i kënaqur për këtë”, vazhdoi përfaqësuesi shqiptar, i cili do t’i japë fund edhe zyrtarisht eksperiencës me Kombëtaren shqiptare në muajin nëntor, në miqësoren me Azerbajxhanin.
Nga viti 2002, Lala është bërë pjesë e rëndësishme e Hannoverit në Bundesligën 1 gjermane. “Ajo periudhë ishte nismë e gjithçkaje që kam ndërtuar këtu. Fatmirësisht, nga ajo kohë, gjithmonë kemi luajtur në elitën e futbollit gjerman”, shtoi ai.
Ai ishte pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare vitet e fundit, por edhe me Hannoverin luajti herë pas here. Këtë sezon pati paraqitje të mjaftueshme edhe në Europa League nën drejtimin e trajnerit Mirko Slomka.
“Është fantastike që po ia dal të luaj edhe në sezonin e fundit”, nënvizoi Lala i cili planifikon të mbetet në botën e futbollit edhe pas përfundimit të karrierës, por si trajner profesionist.
Në muajin maj, ai do ta lë futbollin me një bagazh të mjaftueshëm: 176 ndeshje në Bundesligë dhe një gol. Kurse me Kombëtaren shqiptare, ai zhvilloi 79 ndeshje dhe realizoi 3 gola.