E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hap dyert godina e re e Misionit të Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel, Rama: Nga i ftohti i dikurshëm, te energjia pozitive e sotme. Marta Kos: Përparim gjigant

Në vigjilje të hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit, Misioni i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian hapi zyrtarisht dyert e godinës së re në Bruksel, në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të institucioneve europiane dhe trupi diplomatik shqiptar. Kryeministri Edi Rama ndërsa ka shpërndarë pamje nga ceremonia e djeshme, ka vënë në dukje ndryshimin simbolik dhe praktik të përfaqësimit të Shqipërisë në zemër të BE-së.

“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Brenda bën ngrohtë, është plot energji pozitive dhe buzëqeshje të këndshme,” u shpreh Rama, duke theksuar se atmosfera e re është shembull i progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë në rrugën drejt Europës.

Ai falënderoi stafin e Misionit për punën e palodhur dhe angazhimin gjatë gjithë procesit të integrimit.

Nga ana e tij, ambasadori i Shqipërisë pranë BE-së, Ferit Hoxha, nënvizoi se mbrojtja e kauzës së Shqipërisë në Bruksel, është më e lehtë se kurrë.

“Përfaqësoj një vend që nuk e ka humbur kurrë besimin tek Europa, një qeveri me përkushtim të palëkundur ndaj BE-së, të gatshme të shfrytëzojë çdo sekondë”, u shpreh Hoxha, duke vlerësuar ritmin e reformave dhe vullnetin politik të Tiranës.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e përshkroi veten si “ambasadoren e katërt të Shqipërisë” në Bruksel, duke vlerësuar progresin konkret të vendit.

“Ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat”, tha Kos, duke theksuar se përparimi i Shqipërisë është “gjigant” dhe i mbështetur tërësisht në fakte.

Ajo vuri në dukje rëndësinë e udhëheqjes që shikon nga e ardhmja, duke e cilësuar këtë si një nga dallimet kryesore të Shqipërisë në krahasim me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është shtëpia juaj e re”, deklaroi Kos, duke shtuar se misioni i saj është “të sjellë Shqipërinë në shtëpi, në Europë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›