Hap dyert për 650 fëmijë, nxënës e mësues shkolla 9-vjeçare ‘Eftali Koçi’ në Durrës

Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin në rrjetet sociale për hapjen e një shkolle të re në Durrës.
Duke publikuar pamjet nga shkolla e re e sapo inauguruar, Rama bënë me dije se shkolla ka pritur 650 fëmijë, nxënës e mësues, dhe është me standardet më të mira.
“Tjetër shkollë e re, “Eftali Koçi” në Durrës, e rindërtuar me standardet më të mira me mbështetjen edhe të partnerëve tanë të BE dhe PNUD, bashkë me kopshtin për më të vegjlit, sapo kanë hapur dyert për 650 fëmijë, nxënës e mësues”, u shpreh Rama.
Investimi për rikonstruksionin e shkollës ka përmirësuar kushtet për nxënësit dhe stafin pedagogjik, si dhe e ka pajisur shkollën me laboratorë të rinj për IT, kimie, biologji, dhe fizikë, si dhe një palestër dhe terrene sportive moderne.
Shkolla është financuar nga programi “EU4School” i Bashkimi Europian, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe bashkinë Durrës.
/rtsh.al/