"Hap kutite ose largohu", protesta sot pasdite para Kuvendit
TIRANE-PS-ja do të kërkojë sot hapjen e kutive të votimit nga kryeministri Sali Berisha dhe largimin e tij, në protestën e fundit për këtë vit para sallës së seancave parlamentare, në Tiranë. Sot pasdite, në orën 17:00, PS-ja do të protestojë në kryeqytet, pasi përsëriti protestat në Durrës, Berat, Elbasan, Vlorë, Fier, Lezhë e Shkodër. Reagimi i sotëm nuk pritet të ketë ndonjë gjë ndryshe nga mitingjet e zhvilluara nëpër rrethe. Veçse, dje në selinë e PS-së mbërritën disa postera të rinj, ku kryeministri Sali Berisha shfaqej si babagjyshi i Vitit të Ri, por me kostum blu dhe jo të kuq. Në njërin krah ai mban një thes të mbushur plot me para dhe shkruhet “Korrupsion” dhe në krahun tjetër ai mban një thes bosh, ku shkruhet “Rroga e shpërblime. Bosh”. Pankartën e këtij modeli të ri pritet ta mbajnë sot nëpër duar protestuesit në Tiranë, ndërkohë që deputetët e këtij qarku dhe kreu socialist, Edi Rama sërish do të lëshojë kritikat në adresë të Berishës për acarimin e situatës ekonomike dhe politike në vend. (s.g/BalkanWeb)