E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapen 42 kuti të Dibrës, demokratët tjetërsojnë votat e njëri-tjetrit

Përfundon rinumërimi i votës preferenciale në Dibër, ku nga hapja e 42 kutive rezultoi se kandidatit të PD-së, Xhemal Gjunkshi, i mungonin 17 vota.

Nga ky proces u vu re se votat preferenciale brenda PD-së janë tjetërsuar mes kandidatëve: Përparim Spahiut i ishin llogaritur 49 vota më tepër, të cilat u ishin marrë kandidatëve të tjerë në listën e hapur.

Procesi u zhvillua me vendim të KAS, pas ankesës së z. Gjunkshi për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, ku ai u rendit i dyti në listën e hapur të PD-së me 120 vota më pak se z. Spahiu. Edhe pse u konstatua gabim në shpërndarjen e votave, renditja e kandidatëve nuk ndryshoi.

Në ndarjen e mandateve nuk ka asnjë efekt, pasi dy mandatet e PD-së në Dibër janë shpërndarë përmes listës së mbyllur.

Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të nisë rinumërimi i plotë për subjektet politike dhe kandidatët në qarkun e Tiranës, më pas në Fier dhe Durrës. Procesi pritet të zgjasë rreth 20 ditë.

Sipas KQZ-së, deri në mesin e gushtit pritet të përfundojë certifikimi i rezultateve për zgjedhjet e 11 majit në të gjithë vendin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›