Hapen aplikimet për kredi studentore, afati deri më 4 nëntor

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ U hapën sot aplikimet për kredinë studentore për vitin akademik 2026–2027, një skemë financimi e mbështetur nga Qeveria Shqiptare për studentët që kanë nevojë për mbështetje për përballimin e kostove të studimeve dhe të jetesës.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se kredia studentore ofrohet me një normë interesi fikse prej vetëm 0.5% gjatë gjithë periudhës së kredisë, ndërsa pjesa tjetër e interesit bankar financohet nga Ministria e Arsimit, përmes Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL).
Skema synon t’u krijojë studentëve mundësi më të mira financimi për vijimin e arsimit të lartë, duke lehtësuar përballimin e shpenzimeve që lidhen me studimet dhe jetesën.
Studentët e interesuar mund të aplikojnë online përmes platformës e-Albania deri më 4 nëntor.
Ministria e Arsimit u bën thirrje studentëve të informohen paraprakisht mbi kriteret, kushtet dhe procedurat e përfitimit të kredisë.
Informacioni i plotë mbi skemën dhe mënyrën e aplikimit është i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë në faqen zyrtare www.akfal.gov.al.
/e.xh/j.p/