E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzues të rinj për shërbimet onkologjike, Spahiu: Bordet e tumoreve edhe në spitalet rajonale

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka njoftuar gjatë një vizite në Spitalin Onkologjik se në konsultim me mjekët po punohet për hartimin e një udhëzuesi të ri i cili do të lehtësojë procedurat dhe aksesin e pacientëve në shërbimet onkologjike. Në kuadër të Tetorit Rozë ajo apeloi për kryerjen e kontrolleve të gjirit për kapjen e hershme të kancerit që po prek çdo vit gjithnjë e më shumë gra dhe vajza

“Kontrolli shpëton jetë. Një diagnostikim i hershëm ndihmon pacientin, familjen dhe krijon mundësi për ndërhyrje në kohën e duhur. Ndaj, ftoj çdo grua dhe vajzë ta shfrytëzojë këtë muaj për t’i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit të saj”, u shpreh Spahiu.

Paralelisht në spitalet rajonale po ngrihen bordet e tumoreve që disponojnë kapacitetet e nevojshme, për ta afruar vlerësimin multidisiplinar për pacientët aty ku kanë edhe vendbanimin.

“Po punojmë që, aty ku kemi kirurgë, onkologë dhe kapacitetet e nevojshme, të krijojmë bordet e tumorëve në spitalet rajonale, në mënyrë që pacientët, kur është e mundur, të mos jenë të detyruar të vijnë deri në QSUT”, tha ministrja.

Shërbimi onkologjik ka nisur t’i nënshtrohet një transformimi që po merr kohë ndërkohë që nevojat e pacientëve janë gjithnjë e në rritje si për diagnostikim të shpejtë ashtu edhe në sigurimin e terapive.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›