Gjimnazi “Kolë Idromeno” në Shkodër, ambiente moderne pas investimit

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ – Gjimnazi “Kolë Idromeno” në Shkodër ka nisur vitin e ri shkollor me ambiente të rikonstruktuara dhe kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit, pas investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Shkodër.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se shkolla tashmë ofron klasa të reja, laboratorë të kompletuar, terrene sportive dhe hapësira të përshtatura për nxënësit me aftësi ndryshe, në përputhje me standardet bashkëkohore.
“Kolë Idromeno” i shërben jo vetëm nxënësve të arsimit të mesëm, por edhe të rriturve që ndjekin arsimin me kohë të pjesshme, duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë ata që zgjedhin të vijojnë shkollimin.
Investimi synon përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, aktivitetet sportive dhe përfshirjen e nxënësve me nevoja të ndryshme arsimore.
1 nga 9/e.xh/j.p/