E Martë, 3 Nëntor 2026

Hapësirat publike në Pogradec, ndërhyrje para nisjes së sezonit turistik për plazhe publike

Inspektoriati ndërtimor pranë bashkisë Pogradec, ka nisur prishjet e urave, shtesave dhe shkallëve prej betoni të cilat kishin bllokuar plazhin për qytetarët duke mos lejuar aksesin për këta të fundit.

Ky lirim hapësirash publike vjen pak para nisjes së sezonit turistik dhe nga ana e bashkisë thuhet se qëllimi është që kjo zonë të lidhet dhe të jetë një e tëra bashkë me plazhin e “Uçkave” si një hapësirë publike plazhi dedikuar tërësisht qytetarëve.

Aksioni i prishjeve i nisur një ditë më parë është ndërprerë për të vijuar edhe ditën e martë, pasi duhet të bëhen disa ndërhyrje të vogla nga inxhinierët e Ujësjellës Kanalizime në një stacion pompash në këtë zonë.

Nga ana e banorëve nuk ka pasur rezistencë për prishjet, pasi ata ishin njoftuar edhe më herët për prishje vullnetare.

Ajo që vihet re edhe në pamje është se sasia e betonit dhe gurëve të përdorur gjatë kohës së ndërtimeve ka qenë mjaft e madhe dhe me këto ndërhyrje qytetarët e Pogradecit por edhe vizitorët e shumtë të cilët do të zgjedhin të pushojnë në Pogradec këtë verë do të kenë më tepër hapësirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›