E Martë, 3 Nëntor 2026

Italiani zgjodhi Shqipërinë, Anxhelo Pina ka investuar në Tiranë: Vend i bukur dhe njerëz mikpritës

Udhëton prej tre vitesh me motor, por kësaj herë është ndalur në Kukës. 48 vjeçari Anxhelo Pina vjen për herë të parë, por është befasuar nga natyra dhe relievi që ofron Kukës.

“Hera e parë që vij në Kukës, gjithçka duket mrekulli, pamja fantastike e liqenit, malet natyra e gjithçka tjetër. Tani do bëjmë një xhiro në qytet për të parë e takuar njerëz e sigurisht do të ulemi të drekojmë diku. Kam dëgjuar për kuzhinën e pasur të Kukësit”.

Anxhelo jeton prej tre vitesh në Shqipëri. Është vendosur në Tiranë ku ka ngritur biznesin.

“Kam ardhur nga Italia menjëherë pas pandemisë e nisa me biznesin e shitjeve online. Ndryshe nga Italia, të bërit biznes në Shqipëri është më mirë dhe më thjeshtë, përfshirë edhe elementet fiskal me taksa më të ulëta. Në Shqipëri jetohet mirë. por kohët e fundit ka rritje të çmimeve dhe e shikoj tek vendasit se sa problem e kanë këtë gjë e për mënyrën se si i përballojnë, gjithsesi unë jam natyralizuar. Vajza ime studion këtu dhe është bërë shqiptare”.

Anxhelo udhëton shumë në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe pasionin për motorin e ka prej moshës së re.

“Pasioni im për motorin është i hershëm. Kur ecën me motorr harron çdo gjë dhe ndjehesh i relaksuar dhe plot adrenalinë. Shqipëria ka vende dhe rrugë shumë të bukura veçanërisht drejt Pogradecit apo edhe bregdeti nga Vlora për në Sarandë”

Nuk heziton të flasë për Shqipërinë turistike dhe emrin që ka fituar në këtë sektor.

“Shqipëria është vend i preferuar nga turistët dhe i mrekullueshëm. Ka shumë turistë nga Italia e këtë vit mendoj se numri i tyre do të dyfishohet. Madje ka shumë qytetarë italianë që kanë blerë edhe shtëpi në Shqipëri e zgjedhin të jetojnë.  Kjo edhe për faktin se Shqipëria është një vend ku jetohet mirë e inkuperohesh më së miri me shqiptarët. Kjo edhe për faktin se shumë shqiptare dinë italisht dhe mentaliteti thuajse është i njëjtë me Italinë e Jugut”.

Anxhelo nuk harron të përcjellë edhe mesazhet për shqiptarët.

“Duajeni dhe mbajeni vendin tuaj ndërsa italianëve u them hajdeni dhe vizitojeni vetë Shqipërinë. Nuk është ajo çfarë keni dëgjuar, mendohet e thuhet, por është një vend i mirë e ku do të shikoni mrekullitë e një vendi me njerëz shumë të mirë, mikpritës e bujarë”.

Gazetare: Heriselda Dyrmishi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›