E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet Konventa Republikane, gruaja e Romnejt zbut fushatën

Hapja e Konventës Republikane në Tampa të Floridës

Tampa, delegatët republikanë sulmojnë programin ekonomik të Obamës.

Kandidati presidencial republikan, Mit Romnej, mbërriti dje në Tampa të Floridës për konventën ku do të marrë nominimin zyrtar, ndërkohë që pritej kalimi i stuhisë Isaac. Takimi i republikanëve duhej të niste të hënën, por u shty për shkak të stuhisë. Romnej, i cili kishte në plan të mos dilte publikisht deri kur të merrte nominimin zyrtar si kandidati presidencial republikan, u shfaq dje paradite në podium dorë për dore me gruan e tij, Ana. Për herë të parë edhe ajo mbajti një fjalim. Analistët vlerësojnë se kjo ishte për ta bërë më njerëzore fushatën presidenciale të Romnejt. Adresimi i Ana Romnejt përfaqësoi mundësinë e parë për ti dhënë karakteristika më humane bashkëshortit të saj, i cili ka probleme në lidhjen dhe kuptimin e jetesës së amerikanëve të thjeshtë, pasi është përfaqësues i shtresës së lartë sociale. Fushata e Obamës shpesh ka qenë e fokusuar në pasurinë e Romnejt dhe evitimin e taksave prej tij. Por bashkëshortja e tij, Ana Romnej, shihet si pika e fortë e kandidatit republikan. Ajo vuan nga multiskleroza dhe i ka mbijetuar kancerit në gji, që e kanë bërë popullore për njerëzit e zakonshëm. Në Tampa, zyrtarë republikanë do të flasin dhe për biografinë e Romnejt, vitet e tij si guvernator i Masaçusetsit dhe lider i Olimpikeve Dimërore të Salt Lake City në vitin 2002, duke krijuar kontrast me sulmet e Presidentit dhe aleatëve të tij ndaj Romnejt. Republikanët, gjatë fjalimeve të tyre kanë sulmuar politikat ekonomike të Obamës, pika e tij e dobët, dhe kanë deklaruar se kandidati i tyre do të bënte një punë më të mirë. Takimi në Tampa do ta ketë kulmin e tij të enjten, kur Romnej do të mbajë një fjalim të drejtpërdrejtë ku do të pranojë kandidaturën e tij zyrtarisht, për të garuar kundër Obamës në nëntor të këtij viti. Delegatët, të cilët ishin mbledhur për festimet tipike të këtij lloji, ishin në presion nga stuhia tropikale Isaac. Në fakt Isaac dje u kthye në një uragan të shkallës së parë, por e kurseu Floridën. Situata u bë më emergjente për Luizianën.

Thirrja e Obamës
Kthimi i stuhisë Isaac në uragan alarmoi edhe Presidentin Obama, i cili u bëri thirrje banorëve të Nju Orlinsit të evakuohen për të mos sfiduar fatin. Shtatë vjet më parë, në të njëjtën ditë, ky vend u godit nga uragani Katrina, që la pasoja katastrofike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›