E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkeqësohet recesioni në Spanjë, Katalonia kërkon fond shpëtimi

Kryeministri spanjoll, Raroj

Recesioni i Spanjës është më i thellë nga sa mendohej. Të dhënat zyrtare të publikuara dje kanë treguar se ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2012 ka rënë me 1.3 për qind. Kjo është më keq nga sa ishte parashikuar, një rënie prej 1 për qind. Lajmi erdhi ndërsa Spanja ishte përgatitur për vizitën e kreut të Këshillit të Europës, Herman Van Rompuj. Gjatë vizitës ai tha se BE po qëndron në gatishmëri për të ndihmuar sektorin bankar spanjoll. Recesioni në Spanjë po pasohet nga një rënie e shpejtë e kërkesave, me konsumatorët dhe bizneset që përpiqen të shpenzojnë më pak. Shpenzimet e konsumatorit kanë rënë me një për qind vetëm gjatë tremujorit të fundit. Edhe në Spanjë nisi moda e tërheqjes së parave nga bankat. Banka e Spanjës ka deklaruar se njerëzit nuk duhet të alarmohen nga lajmi se depozitat private në sektorin bankar spanjoll kanë rënë me 5 për qind gjatë muajit korrik. Një zëdhënës i bankës tha se depozitat kanë rënë në korrik për shkak të obligimeve sezonale, sepse familjet tërheqin para për pushimet verore dhe bizneset kanë kohën për të paguar taksat gjashtëmujore. Sipas Reuters, depozitat kanë rënë me vetëm 1.5 për qind në korrikun e vitit të kaluar. Krahasimi u bë për të treguar se problemi i spanjollëve nuk janë vetëm shpenzimet për pushimet verore dhe taksat.  Probleme serioze ka edhe Katalonia. Rajoni spanjoll ka deklaruar se do të kërkojë ndihmë nga likuiditeti i lehtësimit nga qeveria qendrore spanjolle. Bëhet fjalë për një hua mbi 5 miliardë euro.
Kjo shifër do të mbulonte huat dhe shpenzimet e këtij rajoni për një vit. Katalonia ka deklaruar se nuk do të pranojë kushte politike për fondin.

Rompuj takon Raroj
Kreu i Këshillit të Europës ka mbërritur në Spanjë për të diskutuar problemet ekonomike të vendit, por edhe çështjen greke që nisi krizën e eurozonës. Ai theksoi se euroja është e pakthyeshme. Ndërsa Kryeministri spanjoll, Mariano Raroj, duke folur mbi Greqinë, tha se dalja e saj nga eurozona do të ishte dështim për Europën. Ai theksoi se nevojitet union bankar europian brenda dhjetorit, me një fond të garantuar depozitash.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›