E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Panairi i Librit Tirana 2009, Petrit Ymeri: Libri, fitimtar në epokën e teknologjisë

Nga Milena Selimi

Tiranë, 13 nëntor, NOA Në epokën e globalizmit, në kohën e teknologjisë dhe internetit libri mbetet fitimtar, aty ku e dëshirojnë të gjithë dashamirësit e tij dhe ku do të donim edhe ne të gjithë të zërë vendin që i takon.

Me këto fjalë kryetari i Shoqatës së Botuesve shqiptarë, Petrit Ymeri hapi zyrtarisht dje pasdite, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, edicionin e dymbëdhjetë të Panairit të Librit në Tiranë.

Në një pjesëmarrje të botuesve, personaliteteve të artit dhe kulturës, dashamirësve të librit, ky panair, riafirmohet, sipas Ymerit, si një fitore e lexuesit në kohën globale të teknologjisë.

Në një atmosferë të bukur, e cila nisi me tingujt e marshit të bandës së qytetit, që kaloi përgjatë bulevardit kryesor Dëshmorët e Kombit, festa e librit vazhdoi me personalitetet e shquara shqiptare që përshëndetën hapjen e tij.

Akademiku Ali Aliu, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse se synojmë të kemi një panair mbarëkombëtar. Disa shtëpi botuese nga jashtë kufijvë vijnë me një fizionomi të përcaktuar, por të bërit bashkë me 4-5 ditë nuk është një arritje e madhe. Ka vështirësi proceduriale në kufij, që duken të pakuptimta në këtë kohë. Libri shqip duhet të funksionojë si një trup i vetëm në hapësirën Tiranë- Prishtinë dhe Shkup dhe të hiqen pengesat që kufizojnë lëvizjen e tij. Mbështetja e librit nga shteti është pothuaj e papërfillshme.

Ndërsa Zana Turku, zv/ministre e MTKRS-së nuk harroi të theksojë në fjalën e saj se Libri vjen në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Lasgush Poradeci. Ai mbetet tradita që ndihmon në vitalitetin e kulturës shqiptare, sidomos asaj të shkruar. Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë edhe shkrimtarë dhe personalitete si studiuesi Nasho Jorgaqi, shkrimtari dhe politikani Sabri Godo, përkthyesi Amir Kasoruho, etj.

Panairi i librit do të jetë i hapur për lexuesin nga dcata 12-16 nëntor në Pallatin e Kongreseve, ku mendohet të ketë një prezencë të konsiderueshme të autorëve në stendat e ndryshme të shtëpive botuese. Panairi i 12-të i librit mendohet se sjell rreth 40-mijë tituj librash, prej të cilëve rreth 1200 botime të reja.

Marrin pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, numri i ekspozuesve përtej kufijve shqiptarë mendohet të shkojë deri në 30.

Agjencia e Lajmeve NOA është promovues i këtij aktiviteti kulturor.

Edi Rama promovon Edi Ramën

Është parë në orët e pasdites ne ambientet e Pallatit të Kongreseve, vetëm pak minuta pas hapjes zyrtare të tij, edhe kryetari i partisë Socialiste dhe Kryebashkiaku, Edi Rama. Prezenca e tij fizike nuk i ka munguar kamerave dhe përfaqsuesve të shtypit, që nuk kanë harruar ta pyesin mbi librin dhe problemet e tij. Vëmendja e shtetit ndaj librit është pothuaj inekzistente. Jam i bindur se nëse do të kishte më shumë ndihmë, atëherë tregu i librit do të ishte më i lulëzuar është përgjigjur në kalim e sipër kryebashkiaku, i cili në këto ditë në stendën e shtëpisë botuese Toena do të ketë librin e tij më të fundit Edi Rama një ditar ky, i cili mbledh shënimet e ministrit, kryetarit të partisë dhe madje edhe kryebashkiakut.

Ismail Kadare, sot në stendën e Onufrit

Pasi promovoi në UET, librin e tij më të ri, Pengesa shkrimtari Ismail Kadare pritet të jetë sot në stendën e shtëpisë botuese ONUFRI, në një takim me lexuesin dhe dashamirësit e veprës së tij.

Edhe pse është shprehur se Përcjellja e komunizmit ka mbaruar në veprën time, ka ende shumë pyetje që mund të kërkojnë përgjigjet të drejtpërdrejta nga shkrimtari i madh, i cili vetëm pak muaj më parë u nderua me çmimin Princi i Asturias.

Promovime dhe shkrimtarë në stendë

Dita e sotme do të sjellë promovimet e shkrimtarëve si : Ora 12.00, paraqitje e romanit Në kohën e britmës i shkrimtarit Visar Zhiti nga Shtëpia botuese-OMSCA-1, Salla B; Ora 12.00 paraqitje e librit Pesha e fjalës shqipe, autor Gjovalin Shkurtaj nga Shtëpia Botuese-Universitare U.F.O Press, Salla A.

Interesante mendohet të jetë sot edhe prezantimi i librit Brenda dhe jashtë parlamentit, maj 2007-2009 , i autorit Bujar Leskaj, ish-ministër i MTKRS-së, nga Shtëpia Botuese-GEER 2009 dhe Instituti i Studimeve Politike Ismail Qemali, Salla A, ora 17.00 dhe prezantimi i librit Aborti vullnetar...pro edhe kundër, të dr. Tonin Frani nga Shtëpia botuese- Gjergj Fishta, Salla A.

Ndërsa shkrimtarët e sotëm në stendat përkatëse do të jenë: Mirela Sula, Teodor Laço, Flutura Açka, Bardhyl Xhama, Ben Blushi, Moikom Zeqo etj.

n.e/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›