E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihal Popi është Mihal Popi

Përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes aktori, Artist i Popullit, një nga themeluesit e Teatrit të Shtetit. Bashkëkohësit e nderojnë dhe thonë tridhjetë vjet pas vdekjes: Lavdi Mihal Popit, krenaria e teatrit shqiptar.

Veprat e njerëzve që lënë emër të mirë janë dy soje: vepra vetë dhe projektime të saj në kujtesën e bashkëkohësve. Forma e dytë, projektimi, sa ç'është e bukur ngaqë në rrjedhën e kohës e mban mbresa, fantazia që i vishet veprës së të ndjerit dhe emrit të tij, aq është e rrezikuar të përpihet nga ajo rrjedhë, aq më keq kur nënvendoset nga projektime të tjera që jetojnë përmes kujtesës kolektive.

Si paraqitet ky proces në artet skenike si teatri? Çfarë ndodh? Çfarë është e dokumentuar si vepër dhe e krijuar si mit (me mit kemi parasysh ngritjen nga toka dhe vlerat relative të jetës dhe karrierës skenike kryesisht të aktorëve, meqë autori dhe roli i tij njihet pak ose apak në 45 vite kur Teatri ishte Popullor)? Çfarë u thonë të rinjve cilësorët i madh, i papërsëritshëm, kolos, gjigant, i jashtëzakonshëm (sikur të flitej për luftëtarë këmbëshpejtë dhe jo për një njeri që nuk operon me forcën fizike po me fjalën)?

Përkujtimi i 100-vjetorit të lindjes së Mihal Popit (1909-1979) dje në Teatrin Kombëtar, jo haptazi nxori në dukje disa qëndrime, të cilat edhe këto mbeten gojore, kur nuk ka një hapësirë mediale të mendimit kritik apo retrospektiv për teatrin dhe kur monografia apo biografia artistike nuk njihet si gjini ose bëhet nga persona që kanë "hyrje dalje familjare" me veprën e një individi në studim.

Drita Pelinku portreti i së cilës projektohej dje në një ekran përkrah Mihal Popit në komedinë "Morali i zonjës Dulska", vitet gjashtëdhjetë, e mori fjalën e para. Ajo tregoi si e ka njohur Popin, por më parë shprehu keqardhje që me përjashtim të disa filmave në arkiva, puna në teatër e aktorëve të brezit të saj nuk dokumentohet dot. "Arkivat tona janë shumë të varfra dhe nuk dëshmojnë pothuajse asgjë."

Bëhet fjalë për ata aktorë që vinin nga lëvizjet amatore të teatrit dhe themeluan më 24 maj 1945 Teatrin e Shtetit. Pelinku si njëra prej tyre kujton se ata që erdhën e u bënë bashkë në këtë teatër sollën "influencat", kurse Mihal Popi qe i vetmi që nuk solli asgjë nga këto lëvizje, sepse ai nuk i përkiste asnjë shkolle. Edhe atëherë kur mbylli karrierën.

Ishte koha, kujton Pelinku, kur në "baza", në shtëpitë e atyre që do të bëheshin aktorë profesionistë punohej për përvetësimin me zell të teorisë së mjeshtërisë së aktorit, sistemit të Stanislavskit. Por Popi ishte sërish jashtë këtij sistemi. Ai kishte të vështirë të bënte atë që të tjerët e bënin e me zell. "Ishte një përjashtim nga rregulli, kishte aftësi vëzhgimi të fenomeneve sociale, e ndihmonte fiziku, trupi, gjesti, që ishin të harmoni me intuitën, imagjinatën që e bënin aq të besueshëm."

Pelinku përcolli mesazhin e regjisorit Pirro Mani prej Amerike për "talentin e madh shqiptar. Jemi rritur duke vëzhguar Mihal Popin", lexoi aktorja ato fjalë dhe ia la vendin aktorit Lazër Filipi i cili mbante mend po ato cilësi që kujtonin të gjithë. Ai tregoi se e kishte parë për herë të parë Mihal Popin në kinema Rozafat në Tiranën e vitit 1938, kur ndërmjet filmave pa zë si "Sharloti" apo "I holli e i trashi" ishte shfaqur me një akt nga K. Floqi, ky burrë i cili Lazrit të ri po i cyste dëshirën t'i ngjante. Aty Lazri vendosi të bëhej edhe ai aktor. Ai kujtoi po ato role që i mbanin mend shumë nga ata që ishin dje në sallën e vogël: Zhurdenin te "Borgjezi fisnik", Falstafin tek "Gratë gazmore të Uindsorit", Kalorësin tek "Zonja e Bujtinës", po edhe role dramatike si tek "Rrënjët e thella". Më të papërsëritshmit mbeten Qazim Mulleti tek "Prefekti" dhe Anton Antonoviçi tek "Revizori" i Gogolit. "Ka realizuar rreth 80 role", shtoi Filipi dhe veç të tjerash ilustroi me një skenë familjare me pak raki përpara, se ai, "Artist i Popullit", ishte vërtet njeri babaxhan.

Pati një çlirim në sallë kur regjisori Mihal Luarasi erdhi tek mikrofoni dhe tha se sa e vështirë është të flasësh për një artist që ka tridhjetë vjet që nuk jeton. Se është gjë e bukur që bëhen këta përvjetorë, por nuk mjafton që të flitet për Popin nga ata dhe për ata që e njohën dhe punuan me të. Por si do t'jua japësh këtë figurë studentëve të artit skenik që dje ishin jo pak? Çfarë marrin të rinjtë prej tij? "Me aq sa pamë të gjithë nga këto foto, Popi asnjëherë nuk është i njëjti. Sandër Prosi, Gjon Karma, Prokop Mima, Pjetër Gjoka asnjëherë nuk ishin të njëjtët në skenë. Shihni aktorët e sotëm: në të gjitha rolet janë të njëjtët dhe nuk bëhet më ai transformim vizual i personazhit."

Tek "virtytet" e humbura të aktorit shqiptar Luarasi përmendi modestinë. "Mihal Popi dhe aktorët që përmenda nuk kishin përfryrjen që kanë aktorët e sotëm, përfryrje që e gjen qoftë tek aktori mediokër qoftë tek ai me famë. Pse ishin modest pranonin edhe kritikën."

I fundit e kujtoi Birçe Hasko që kishte bërë shtatë biseda me Mihal Popin para se të shkruante në vitin 1974 një referat për aktorin. Ai e imitoi me të folurën tiranase dhe e mbylli me fjalët "Lavdi Mihal Popit".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›